Policia rrugore nis kontrolle të rrepta
Policia rrugore e Fierit ka ndërmarrë një seri masash për të disiplinuar qarkullimin rrugor në qytet dhe në akset e rrugës nacionale. Sipas krerëve të policisë rrugore në Fier, kontrolli i rreptë për zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor ka për qëllim uljen e numrit të aksidenteve automobilistike. Kjo bëhet më e domosdoshme, edhe për faktin se në Qarkun e Fierit, në këto dy muaj të këtij viti, janë aksidentuar me vdekje 5 shtetas dhe janë plagosur 7 të tjerë. Shumica e masave të marra ndaj drejtuesve të mjeteve kanë të bëjnë me qarkullim me drita të fikura, mosvendosjen e rripit të sigurimit dhe komunikimin me celular gjatë drejtimit të mjetit. Sipas drejtuesve të policisë rrugore, penalizimi i këtyre shkelësve ka për qëllim edhe krijimin e një kulture qytetare dhe bashkëkohore të qarkullimit.