E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulevardi i Roskovecit, aksi që shkatërron makinat

Aksi rrugor kombëtar që përkon edhe me bulevardin kryesor të qytetit të Roskovecit është bërë thuajse i pakalueshëm. Drejtuesit e automjeteve dhe banorët e Roskovecit thonë se gjendja është e tillë prej shumë vitesh. Kryebashkiaku i qytetit, Ylli Kola, deklaron se bashkia nuk mund të ndërhyjë me fondet e veta. Kjo sepse restaurimi i kësaj rruge kërkon gjithë buxhetin bashkiak të këtij qyteti me nëntë mijë banorë. Banorët, si dhe drejtuesit e automjeteve janë ata që e vuajnë më shumë gjendjen e rëndë të infrastrukturës rrugore. "Pikërisht gjatësia e rrugës kombëtare që përkon me bulevardin e qytezës së Roskovecit paraqitet në gjendje më të rëndë. Është e pakalueshme dhe amortizimi i mjeteve i pallogaritshëm", thotë Veiz Ruçi, një shofer nga Berati, i cili bën përditë rrugën Berat-Fier. "Ne që jemi nga Roskoveci, i kemi shkatërruar makinat në këtë rrugë. Nuk mund të shtyhet më kështu, duke pritur nga premtimet e panumërta që na janë bërë", thotë Safet Vrushi, një tjetër drejtues makine. Ndërkohë që banorët e qytetit tregojnë se në kohë më shi e kanë të pamundur kalimin në bulevardin kryesor. "E gjithë rruga mbulohet nga uji dhe gropat e shumta mbushen e nuk dallohen. Edhe tharja e tyre pas përfundimit të shiut do kohë, pothuaj tri ditë me diell", thotë Fatime Sulollari. "Ka pasur edhe raste kur uji që ka pushtuar bulevardin ka mbuluar me shi e përmbytur banesat e kateve të para. Na kanë premtuar fushatë pas fushate se do ta rregullojnë këtë copë rrugë, por deri tani nuk është bërë asgjë", thotë Pëllumb Çepele. Nga ana tjetër, kryetari i bashkisë, Ylli Kola, shpreh të njëjtin shqetësim, por deklaron se "rikonstruksioni i kësaj rruge kërkon fondet e të gjithë bashkisë". Ai sqaron më tej se "i jemi drejtuar disa herë qeverisë, por kemi marrë vetëm premtime". Para tre vitesh ishte një fond prej më shumë se 1 miliard lekësh, që u investua nga qeveria shqiptare për këtë rrugë, nga Kthesa e Patosit deri në Urën Vajgurore. Brenda këtij investimi ishte edhe aksi i sipërpërmendur. Por, aq cilësore ishte puna e bërë, sa jo vetëm kjo pjesë, por e gjithë rruga është e shkatërruar. Ndërsa askush nuk merr përsipër të shpjegojë se çfarë u bë me këtë fond.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›