Tropojë, luftë për territoret e pasura me krom
Shtrenjtimi i kromit në tregjet botërore ka ndikuar për mirë edhe te grumbulluesit amatorë dhe tregtarët e këtij minerali në Shqipëri. Në mënyrë të veçantë për zonën e verilindjes, aty ku mendohet se janë edhe rezervat më të mëdha dhe cilësore, pas zonës së njohur të Bulqizës. Mirëpo, kjo gjë duket se ka futur në sherr një numër njerëzish për shkak se nuk ka ndarje të sakta të pronave mes fiseve dhe familjeve.
Disa javë më parë, në Tropojë u plagos një banor i fshatit Vlad të Komunës Bytyç, ku siç thuhet, në qendër të sherrit ka qenë pikërisht problemi i kromit. Azem Sinani, 42 vjeç, polic privat, ka qëlluar me armë automatike mbi Haki Sinanin, 34 vjeç, duke e plagosur në këmbën e majtë dhe duke i rrezikuar jetën. Sipas burimeve policore, ata kishin debatuar për zonat e influencës për të grumbulluar kromin e kërkuar kaq shumë nga tregu i huaj.
Burime të komunës thanë se në Bytyç një numër familjesh merren në mënyrë krejt amatore me grumbullimin e kromit, të cilin më pas e marrin tre-katër tregtarë të njohur nga shteti për këtë aktivitet dhe e dërgojnë në Durrës. Në mjaft raste, kromi është dërguar edhe në Gjakovë, por njerëzit atje thonë se kjo gjë ka barriera të mërzitshme burokratike në kufi. Një nëpunës komunal tha për gazetën "Shqip" se dhjetëra familje punojnë me orë të zgjatura në vendburimet e vjetra, duke grumbulluar kromin me thasë. "Gra dhe fëmijë punojnë me kromin, në mënyrë të veçantë në fshatin Vlad dhe e shesin aq sa kushtonte në Durrës para një viti", tha ai, duke iu referuar edhe familjeve të dy kushërinjve në sherr. Nuk është pohuar ende nga vetë protagonistët, por banorët mendojnë se kromi i ndodhur në disa galeri të braktisura, por të cekëta, në disa gropa, si dhe në vendgrumbullimet e dikurshme është një problem. Një numër grumbujsh kromi zihen si "gjetje" që nuk duhet t‘i prekë njeri thjesht duke i vënë grumbullit të kromit një dru përsipër apo tre gurë.