E Diel, 1 Nëntor 2026

Rruga Durrës-Kukës, shpresë për ringjalljen e Kalimashit

Ndryshimet e ekuilibrave në tregjet botërore të kromit kanë sjellë ditë të mira për minatorët në tërësi, si dhe shenjat se një ditë mund të ringjallet edhe miniera e Kromit në Kalimash të Kukësit, një ndër prodhuesit e dikurshëm më të mëdhenj të kromit në shkallë vendi. Të nxitur ndoshta edhe nga fakti që kjo minierë ndodhet ngjitur me aksin e autostradës Durrës-Kukës-Prishtinë, grupe inxhinierësh dhe kërkuesish nga kompani të ndryshme evropiane dhe amerikane i "sillen rrotull" këtij gjiganti që fle prej më shumë se një dekade.

Kalimashi

Miniera e kromit dhe olivinitit në Kalimash është ngritur në vitet ‘70 të shekullit të shkuar dhe për më shumë se dy dekada ka qenë gjiganti më i madh i kromit në Shqipëri, ku janë nxjerrë mbi 200 mijë tonë krom në vit. Ajo funksionoi deri në mesin e viteve ‘90, kur aty kanë punuar mbi 3 mijë punëtorë, duke llogaritur sistemin e nxjerrjes dhe përpunimit në tërësi. Në rënien e kësaj miniere, e cila nisi që me ndryshimin e sistemit politik në vend, luajti një rol dominant edhe rënia e çmimit në tregun botëror. Miniera mund të kishte mbijetuar, siç tregojnë specialistët, pasi ajo kishte një sistem modern të pasurimit, por kostoja e transportit e fundosi atë përfundimisht në vitin 1994. "Ishte tepër e vështirë të mbijetoje në kushtet kur transporti nga Kukësi në Durrës kushtonte më shumë se 10 dollarë për ton", tregon inxhinieri Haxhi Doxhani për vitet ‘90, kur miniera si dhe fabrika e kromit falimentuan.

Pasojat sociale

Falimentimi i Kalimashit nxori në rrugë më shumë se 1000 punëtorë, të cilët të mbetur pa alternativë jetese në Kukës iu drejtuan metropolit si mundësi për mbijetesë. Sa kohë që funksiononte miniera, nga qyteti i Kukësit nisej çdo ditë një karvan prej 20 autobusësh që dërgonte e merrte punëtorët. Mbyllja e frontit të punës, që mjerisht nuk ishte i vetmi, pasi në atë kohë u mbyllën një numër minierash dhe fabrikash, vuri në dilemë shumicën e banorëve të Kukësit, të cilët nisën shpërnguljen gati masive duke krijuar zona të tëra në periferi të kryeqytetit. Ekspertët e ekonomisë thonë se Kukësi ka mbijetuar vetëm falë shpresës se një ditë do të ndërtohej autostrada, e cila tashmë duket shumë pranë përfundimit. "Me falimentimin e Kalimashit falimentuam edhe ne, ku të punonim..." tregon kryeplaku i Kalimashit, Ismail Zeneli, duke shtuar se qindra familje mbaheshin jo keq me të ardhurat nga puna në minierë.

Përpjekjet private

Edhe në rrethana të disfavorshme të infrastrukturës, një numër sipërmarrësish mbijetuan, siç është rasti i Dogjanit në Kukës, ai i Ukperës në Has e kështu me radhë. Dogjani në Kukës tregon se vitet ‘90 kanë qenë periudha më e vështirë në krejt 50 vitet e fundit për kromin, me çmimet e ulëta që zbritën deri në 40 dollarë për ton. Në vitin 2002, sipas një punimi mbi strategjinë e Qarkut të Kukësit, kromi ka kushtuar 65-70 dollarë për ton me cilësi deri 52% Cr2 O3. Sot për kromin duket se kanë ardhur ditë të mira. Një tregtar ndërmjetës thotë se çmimi aktual i kromit ka shkuar në 270 dollarë. "Është një moment i mirë për tregun e kromit dhe ne po përpiqemi ta shfrytëzojmë për të rikuperuar borxhet dhe deficitet e krijuara", tha ai duke iu referuar tregut të kromit në Durrës ku u shitej kompanive të huaja.

Interesimi nga të huajt

Prej disa muajsh grupe inxhinierësh të huaj udhëtojnë në Kalimash për të parë nga afër konturet e gjigantit të dikurshëm. Ilmi Lisha, shef i zyrës së industrisë në Prefekturën e Kukësit tregon që më shumë se dhjetë kompani industriale nga Turqia, Austria, Italia, SHBA, Danimarka etj., vazhdojnë të shprehin interesim për Kalimashin. Ai madje tregon edhe peripecitë e udhëtimit në këmbë me grupet e interesuara, pasi rruga e dikurshme ka dalë jashtë funksioni. "Ecëm me këmbë nga fabrika në minierë në vendet ku kromi dhe oliviniti nxirren në sipërfaqe dhe përfaqësuesit e firmave të huaja mbetën të kënaqur nga ajo që panë. U kemi thënë të drejtohen në Ministrinë e Ekonomisë tani, për të parë mundësitë e privatizimit". Kështu tregon Lisha për disa nga grupet e huaja të interesuar për kromin. Ndërsa me lëvizjet e disa inxhinierëve turq edhe banorët duket se janë ambientuar. "E di çfarë i kam thënë prefektit një ditë? Mos ua jepni turqve, sepse tutem se po na mashtrojnë, po e deshi amerikani, po", thotë fshatari me emrin Jashar Osmani, 56 vjeç nga Kalimashi, duke shtuar "Ishallah ringjallet edhe një herë miniera, sepse përndryshe nuk jetohet më këtu në fshatin tonë, nuk ka punë".

Studimet

Të dhëna të botuara më herët mbi kromin në verilindje flasin për rezerva të konsiderueshme. Në një studim të dr.Hamit Noka thuhet se në Surroj, vetëm 2 km larg Kalimashit, mund të ngrihet një metalurgji e hekur-nikelit ku të mund të sistemohen deri në 6 mijë punëtorë. Ai sjell në vëmendje edhe metale të tjera, që për fatin e mirë mund të shfrytëzohen me karrierë, pa pasur nevojën e galerive. Dhe për më tepër, aty janë dy lumenj të vegjël për t‘u shfrytëzuar për fabrikat dhe për më tepër akoma, të gjitha këto pasuri ndodhen në buzë të autostradës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›