E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërcënohen të afërmit e Lul Cakës

Familja e motrës së Lulëzim Cakës është vënë në shënjestër të kundërshtarëve të kriminelit të famshëm beratas. Disa persona të maskuar kanë tentuar të shtunën në mbrëmje të hyjnë në shtëpinë ku jeton Gurie Petriti (Caka) me bashkëshortin, Shkëlqimin dhe katër fëmijët. Burime të policisë së Fierit, bënë me dije se pak kohë më parë në këtë shtëpi ka ndodhur një vjedhje, por pohojnë se për rastin e fundit, ka dyshime të forta se bëhet fjalë për një hakmarrje të motrës së "gangsterit" tashmë të arrestuar, Lul Caka. Të afërmit e Lul Cakës janë vënë nën mbrojtjen e policisë, për shkak të hasmërive që ka i arrestuari. Por që nga 17 shkurti i këtij viti, familja nuk ndihet më e sigurt. Më 17 shkurt, në banesën e familjes Petriti është vjedhur një sasi e madhe fidanësh dhe sipas dëshmive të familjarëve, hajdutët kanë qenë të maskuar e të armatosur. Banesa ku jeton motra e Lul Cakës, Guria, ndodhet në fshatin Vajkan të Komunës Mbrostar të Rrethit Fier, përgjatë rrugës Fier-Lushnjë. Motra e Cakës ka disa vjet që është vendosur këtu së bashku me bashkëshortin dhe katër fëmijët, tre djem dhe një vajzë. Bashkëshorti i saj, Shkëlqim Petriti, mban familjen me tregtimin e fidanëve të pemëve dhe bimëve dekorative. Sipas burimeve zyrtare nga policia e Fierit mësohet se kjo familje ka fituar statusin e ruajtjes nga policia qysh në momentin e ndalimit të Lul Cakës, ndërkohë që më parë policia ka ushtruar shpeshherë kontroll mbi këtë banesë, pasi kërkonte Lul Cakën, i cili mendohej se fshihej aty.

Mbrëmjen e së shtunës, Shkëlqim Petriti ka telefonuar në Drejtorinë e Policisë Fier, ku ka njoftuar se persona të panjohur kanë tentuar të hyjnë në territorin e shtëpisë. Petriti ka mundur të largojë nga shtëpia bashkëshorten dhe fëmijët, nëpërmjet një daljeje të pasme të shtëpisë. Policia e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes me alarm, nuk ka mundur të gjejë sulmuesit e mbrëmshëm, por ka nisur kontroll të të gjitha rrugëve të fshatit Vajkan ku dhe ndodhet banesa. Pasi ka gjetur disa prova në vendin e ngjarjes, si dhe ka marrë në pyetje kunatin dhe motrën e Lul Cakës, policia është vënë në kërkim të autorëve. Burime të sigurta nga policia e Fierit që po merren me hetimin e këtij rasti, duke u nisur dhe nga statusi i kësaj familjeje, kanë pohuar se një nga pistat e hetimit është ajo e hakmarrjes. Po burimet policore pohojnë më tej se edhe herë të tjera kjo familje ka marrë kërcënime të ndryshme në telefon, por asnjëherë përveç rastit të grabitjes pak ditë më parë nuk është prekur.

Dje në banesën e motrës së Lul Cakës, ndodhej vajza, Edjola Petriti, nxënëse në vitin e tretë të shkollës së mesme në Vajkan. Ajo ka treguar rastet e vjedhjeve dhe tentativat e shumta për vjedhje. Edjola ka thënë se mbrëmja e së shtunës kishte qenë një makth i vërtetë për familjen. Ajo tregon se edhe më 17 shkurt, personat që hynë në shtëpi dhe vodhën fidanët ishin të maskuar. Mbesa e Lul Cakës, Edjola Petriti nuk beson se dikush po kërkon të hakmerret me familjen e saj, ndërsa pohon se "Ne shkojmë e takojmë dajën në burg".

Ndërkohë, burime policore pohuan se Lulëzim Caka nuk ka pasur marrëdhënie të mira me Shkëlqim Petritin, burrin e motrës, për shkak se në kohën që Lulëzimit i kanë vrarë nënën, Shkëlqimi ka qenë prezent në vendngjarje dhe nuk ka bërë asnjë veprim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›