Vlorë, kapet i dënuari për pengmarrje e vrasje
Arrestohet i shumëkërkuari dhe i dënuari nga krimet e rënda me 15 vjet burg. Një person i shpallur në kërkim për dy krime të rënda ka rënë në prangat e policisë së Vlorës duke gdhirë dita e djeshme. Kamber Sulçe, 30 vjeç, me banim në fshatin Mesaplik të rrethit të Vlorës është arrestuar në shtëpinë e tij. Arrestimi është bërë, pasi Sulçe ka qenë i shpallur në kërkim me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda, që e ka dënuar me 15 vjet burg për rrëmbim personi, si dhe për bashkëpunim në vrasje. Vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda me 15 vjet burg të shtetasit Sulçe është dhënë para disa muajsh në mungesë, sepse Sulçe ka mundur t‘i shpëtojë disa herë arrestimit nga policia. Pas shpalljes në kërkim me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda, policia e Vlorës ka vepruar për të zbatuar vendimin. Në bazë të të dhënave operative, Sulçe ndodhej në banesën e tij prej disa ditësh. Mesnatën e së shtunës, shumë forca policore janë nisur për në fshatin e largët të Mesaplikut për arrestimin e Sulçes. Për arrestimin e tij, policia ka marrë të gjitha masat e nevojshme, duke kryer disa rrethime fillimisht të fshatit e më pas të banesës së Sulçes, duke përfunduar me ndërhyrjen brenda banesës dhe duke kryer arrestimin e të kërkuarit. Mësohet se para se të arrestohej, Sulçe ka tentuar të largohet nga shtëpia, por policia kishte parashikuar se i kërkuari mund të informohej për operacionin dhe ka marrë të gjitha masat që ai të mos e çante dot rrethimin. Edhe pse Sulçe ka arritur të dalë nga banesa, ai nuk ka mundur të largohet shumë dhe është vënë në pranga. Aksioni policor është finalizuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm dhe Kamber Sulçe është izoluar në Komisariatin e Policisë së Vlorës, nga ku do të largohet për në Tiranë, me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Sipas burimeve nga policia e Vlorës, Sulçe është dënuar nga me 15 vite burg, sepse para tre vjetësh, së bashku me persona të tjerë kanë marrë peng një person, i cili nuk kishte paguar paratë për blerjen e një sasie bimësh narkotike. Ai është shpallur fajtor edhe si bashkëpunëtor në vrasjen e një shtetasi.