Aksidentet, një i vdekur dhe tetë të plagosur në Qafë-Thanë
Një person ka vdekur dhe katër të tjerë janë plagosur rëndë në një aksident tragjik që ka përgjakur dje në mesditë Qafë-Thanën. Ky ka qenë bilanci i viktimave të një aksidenti të rëndë që ka pasur për shkak jo vetëm lagështirën në rrugë, por edhe shpejtësinë tej normave të lejuara. Një furgon udhëtarësh është përplasur me një maune që transportonte detergjentë drejt kryeqytetit. Sipas të dhënave nga policia rrugore, aksidenti është regjistruar rreth orës 12:30 në një nga kthesat e forta të aksit Përrenjas-Pogradec, që njihet si pika e vdekjes. Puna e parë që është bërë nga policia ka qenë ndihma për të plagosurit, ndërsa Flutura Yzo, e cila ka ndërruar jetë, është çuar drejt morgut. Më pas, ekspertët e policisë kanë bërë ekspertizën në vendin ku ka ndodhur përplasja mes dy mjeteve dhe kanë arritur në konkluzionin se shkak nuk ka qenë vetëm lagështira mbi asfalt, por edhe shpejtësia tej normave të lejuara të furgonit me pasagjerë. Furgoni me targa të Korçës, që drejtohej nga Valter Lumani, është dëmtuar deri në atë masë sa targat e tij janë bërë të palexueshme. Siç tregon policia, furgoni që lëvizte nga Tirana në drejtim të qytetit të Korçës, ka qenë me shpejtësi dhe ndërsa ka marrë kthesën, ka rrëshqitur dhe është përplasur me një maune me targa turke, që vinte në drejtim të kundërt dhe që udhëtonte drejt kryeqytetit. Përplasja e fortë ka bërë që furgoni me pasagjerë të dalë nga rruga dhe të përfundojë rreth 7 metra poshtë saj. Kjo përplasje e fortë ka shkaktuar vdekjen në vend të gruas 63-vjeçare Flutura Yzo. Sipas të dhënave të policisë, janë dëmtuar edhe shtatë persona të tjerë që ndodheshin në furgon, katër prej të cilëve kanë marrë plagë të rënda në pjesë të ndryshme të trupit. Policët kanë pasur vështirësi në nxjerrjen e të plagosurve nga furgoni i shkatërruar. Në vendngjarje ka shkuar menjëherë edhe një autoambulancë e Përrenjasit, që ka bërë transportin e të plagosurve drejt spitalit të këtij qyteti. Nga të dhënat e spitalit të Përrenjasit, rezulton se në gjendje të rëndë është edhe shoferi i furgonit, Valter Lumani, 61 vjeç, me banim në Korçë. Sipas policisë, krahas viktimës, të plagosur kanë mbetur të gjithë pasagjerët, disa prej të cilëve janë identifikuar disa orë pas shtrimit në spital, pasi nuk kanë pasur dokumente me vete.
Disa orë përpara këtij aksidenti të rëndë, një tjetër përplasje mjetesh shkaktoi plagosjen rëndë të një vajze 19 vjeçe në aksin rrugor Librazhd-Pogradec. Burime të policisë rrugore thanë se një mjet tip "Mazda", me targa të huaja FE803D dhe drejtues shtetasin Dritan Lushka, 30 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Bishnicë të Pogradecit, është përplasur me një mjet tip "Volkswagen" me targa të huaja DVI3111A, që drejtohej nga shtetasi Alban Zerja 33 vjeç, lindur dhe banues në Devoll. Aksidenti ndodhi në vendin e quajtur Vrakë Përrenjas, ku shkak ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara nga drejtuesi i mjetit tip "Mazda". Si pasojë, është aksidentuar rëndë 19-vjeçarja Esmeralda Komiçi, e cila ka qenë pasagjere në mjetin "Mazda". Ajo është shtruar në spitalin e Librazhdit në gjendje të rëndë për jetën.
Viktimat
E vdekur
Flutura Yzo, 63 vjeçe
Të plagosur
Alban Guma, 24 vjeç, nga Burreli
Sali Guma, 34 vjeç, nga Burreli
Gëzim Vethi, 28 vjeç nga Lezha
Blerim Lleshi, 23 vjeç, nga Lezha
Valter Lumani, 61 vjeç, shoferi i furgonit
Ilir Gonci, 35 vjeç
Albert Meçe, 25 vjeç.
Esmeralda Komiçi, 19 vjeçe