Në vitin 2007 vdiqën 18 veta nga aksidentet në punë
Shifra të larta të aksidenteve në punë për vitin 2007 në Rrethin e Fierit. Burimet zyrtare nga Inspektorati i Punës në Fier, bëjnë të ditur për gazetën "Shqip" se ky institucion ka evidentuar gjatë vitit 2007, 18 raste aksidentesh me pasojë vdekjen e punëtorit. Ndërkohë, që me një numër të dyfishuar paraqiten plagosjet në punë, si shkak i mungesës së masave të sigurimit teknik. Ka pasur edhe 10 raste kur personat e aksidentuar kanë pësuar dëmtime të rënda fizike, duke humbur aftësinë për punë. Sipas shefit të këtij inspektorati në Qarkun e Fierit, Arqile Goja, rastet e ndodhura kanë si shkak pakujdesinë e vetë të dëmtuarve në sektorë të ndryshëm të punësimit. Por, shkak, sipas tij, është edhe mungesa e kushteve teknike. "Numri i aksidenteve në sektorin privat e shtetëror gjatë vitit 2007 në Qarkun e Fierit është 18 me vdekje dhe më shumë me plagosje. Nga 18 aksidentet me vdekje, 3 kanë ndodhur në sektorin shtetëror dhe pjesa tjetër prej 15 personash në atë privat. Aksidentet kanë pasur si shkak kushtet jo të mira të punës, por edhe pakujdesi nga punëmarrësi, thotë Arqile Goja. Ndërkohë, nga kontrollet e ushtruara në të gjithë qarkun, gjatë fundit të vitit 2007 dhe fillimit të vitit 2008, sërish janë konstatuar punëmarrës që nuk kanë përfshirë punëtorët e tyre në skemën e sigurimeve. Sipas të dhënave, numërohen rreth 280 punonjës të pasiguruar, ndërkohë që për punëdhënësit është vendosur detyrimi për sigurimin e tyre. Për vitin 2008 Inspektorati Shtetëror i Punës do të bëjë detyrimin ligjor të të gjitha subjekteve për të legalizuar punonjësit si dhe të përmirësojnë kushtet e sigurisë së tyre.