E Diel, 1 Nëntor 2026

Bombë në Metalurgjik, 10 viktima

Një bombë e fshehur mes hekurishtesh ka shkaktuar një aksident tragjik dje në mbrëmje në Uzinën e Çelikut, brenda ambienteve të ish-Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit. Një metalurg ka gjetur vdekjen në spital, tre rezultojnë të humbur, ndërsa të paktën gjashtë të tjerë po luftojnë mes jetës dhe vdekjes në reanimacionin e spitalit të Elbasanit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 19:30 të mbrëmjes në furrat e kompanisë turke "Kurum", pikërisht në Uzinën e Çelikut. Në atë kohë, në ambientet e uzinës kanë qenë të pranishëm rreth 50 punëtorë të turnit të dytë. Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur tërë repartin e furrave dhe shpejt është mësuar se në furrat e çelikut, aty ku aktualisht nuk shkrihet mineral kromi por skrap, ka shpërthyer mes hekurishtesh një bombë e fuqishme. Nga shpërthimi janë dëmtuar rëndë të paktën dhjetë metalurgë. Policia lokale ka mbërritur shumë shpejt në vendngjarje, sikundër disa drejtues të firmës si dhe dy autoambulanca të spitalit të Elbasanit që kanë transportuar me urgjencë shtatë nga të plagosurit. Sipas informacioneve nga spitali i qytetit, njëri nga metalurgët e plagosur nuk u ka mbijetuar dot plagëve, ndërsa gjashtë të tjerët paraqiten në gjendje shumë të rëndë. Konfirmohet se metalurgu që ka ndërruar jetë në spital është Xhavit Ndërgjoni, 55 vjeç, ndërsa të plagosurit janë: Agim Isaj, 58 vjeç, Elton Sefa 18, Veli Shupeja 57, Agim Qosja 60, Edvan Mesiti 26 dhe Velil Jahja 54 vjeç. Shefi i Komisariatit të Elbasanit, Gjelosh Prendi, tha dje se nuk ka asnjë të dhënë për tre metalurgë, të cilët kanë qenë në punë në furrën ku ndodhi shpërthimi, por që nuk gjenden as mes të plagosurve, as mes atyre që arritën të dilnin nga reparti pa dëmtime. "Deri tani ata konsiderohen të humbur", tha kryepolici i Elbasanit. Ndërkohë ka nisur një hetim intensiv për zbardhjen e ngjarjes. Shefi i Komisariatit të Elbasanit konfirmoi se në mbrëmje vonë janë shoqëruar 23 persona, të cilët janë inxhinierë, përgjegjës turni dhe teknikë të Uzinës së Çelikut. Burime të sigurta nga policia saktësuan se mes të shoqëruarve, vetëm njëri është turk, ndërsa 22 të tjerët shqiptarë. Gjatë marrjes në pyetje, këta persona kanë theksuar faktin se kontrolli në detaje i skrapit që hidhet në furra është i pamundur. Në fakt, ka vite që furrat e Uzinës së Çelikut punojnë me hekurishte të mbledhura në të gjitha anët e vendit, deri edhe nga Kosova e Maqedonia, nëpërmjet firmave private të licencuara për këtë aktivitet. Askush nuk ka bërë kontrollin e hekurishteve ku mendohet se ishte e "fshehur" bomba që shpërtheu mbrëmë. Sipas inxhinierëve metalurgë, është i pamundur kontrolli i tonelatave të skrapit, pasi pajisja ngarkuese nuk e jep një komoditet të tillë. Sidoqoftë hetimet vazhdojnë, pavarësisht vështirësive për të gjetur emrin e firmës që ka shitur skrap në "Kurum".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›