E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkiakja shemb 20 ndërtesa në Laprakë

Qindra banorë të Laprakës kanë qenë dje dëshmitarë të një aksioni, ku u shembën afro 20 ndërtime pa leje, anash rrugës kryesore të kësaj lagjeje. Ndërhyrja u bë, pasi e gjithë pjesa qendrore e Laprakës do t‘i nënshtrohet projektit gjigand të urbanizimit. Kështu, shembjet e objekteve, që pengojnë zgjerimin e rrugëve apo që kanë zënë objektet publike, do të vazhdojnë. Për pasojë, trafiku i automjeteve do të jetë i rënduar dhe rruga hyrëse për në Tiranë do të jetë e vështirë të kalueshme.

Pronarët kanë reaguar ashpërsisht, duke kërcënuar punëtorët e Inspektoratit të Ndërtimit dhe Policisë Bashkiake, që morën pjesë në aksion. Por, përpos tyre, zyra e shtypit në bashki njofton se "do ta vazhdojë këtë aksion edhe në pjesë të tjera të Laprakës në ditët në vijim, për t‘i hapur rrugë nisjes së projektit për rehabilitimin e lagjes periferike". Ky projekt synon të ndryshojë rrënjësisht të gjithë infrastrukturën e kësaj njësie. Është një financim prej 3 milionë eurosh i "Kooperacionit Italian", që konsiston në rikonstruksionin e të gjitha segmenteve kryesore rrugore. Janë rreth 7 kilometra rrugë, të cilat do të rehabilitohen, si në rrugën "Gjergj Legisi", "Lord Bajron", "Pandi Dardha", "Vangjeli Noti", "Marin Barleti", "Riza Kuka", "Gjergj Kastrioti", "Rexhep Preze".

Gjithashtu, rehabilitimi do të përfshijë edhe rreth 5 kilometra kanale të ujërave të zeza dhe të kullimit të ujërave të shiut në rrugë, si dhe ndërtimin e 2 kilometrave ujësjellës të ri. Në këtë projekt është përfshirë edhe ndërtimi i dy parqeve rekreative në zonat e lira midis pallateve, me rreth 2 hektarë sipërfaqe të gjelbra, si dhe rikonstruksioni dhe vënia në eficencë e dy ndërtesave social-kulturore, kinemasë dhe bibliotekës së lagjes. Financimi është një kredi e butë e qeverisë italiane, ku brenda saj janë mbuluar dhe shpenzimet e projektimit dhe të supervizionit të punimeve me afro 134.000 mijë euro. Projekti i urbanizimit të Laprakës do t‘i japë më shumë jetë banorëve të kësaj zone, që vitet e fundit është prekur nga informaliteti. Ndërsa zgjerimi i rrugës kryesore do t‘i shërbejë lëvizjes së lirë të automjeteve drejt Spitalit Ushtarak, që gjendet në qendër të Laprakës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›