Shembet ura, izolohen shtatë fshatra të Elbasanit
Rreth 2500 banorë të Komunës së Gracenit dhe Bradasheshit në Rrethin e Elbasanit nuk mund të lidhen më me njëri-tjetrin dhe me qytetin e Elbasanit. Shkak është bërë shembja e një ure, që ishte e vetmja nyje lidhëse mes gjithë fshatrave të zonës dhe për më tej, me qytetin e Elbasanit dhe pjesën tjetër të vendit. Shirat e dendur të dy netëve më parë kanë shtuar prurjet e përroit të Kushës, që ndan mes për mes zonën lindore të Komunës së Gracenit, duke bërë që të shemben tri këmbët prej betoni të urës në fshatin Kozaj, rreth 20 kilometra nga qendra e dy komunave dhe 40 kilometra larg qytetit.
Fshatrat Reçan, Shtëmaj, Ulëm, Shëngjin, Dopan, Gjormë dhe Mamël të të dyja komunave, që nga nata e mbrëmshme nuk komunikojnë me asnjë mjet lëvizës. Nga një anë e përroit në tjetrën mund të kalojnë vetëm këmbësorët, të cilëve u duhet të rrezikojnë jetën në ujërat e rrëmbyeshëm. Ndërkohë, nga shembja e urës kanë ndërprerë mësimet rreth 100 nxënës të shkollës nëntëvjeçare të fshatit Mamalë dhe Gjormë. Autoritetet vendore, vetëm sa kanë parë gjendjen në vend, por nuk kanë asnjë mundësi për riparimin e urës së vetme të zonës.
Të paktën, sipas përllogaritjeve paraprake, do të duhen rreth 5 milionë lekë për rivënien në funksion të urës, çka duket e papërballueshme për dy komunat. Sipas drejtorit të shkollës në fshatin Mamalë, Idriz Hyka, njëkohësisht edhe kryetar i Këshillit të Komunës së Bradasheshit, një fond i tillë, jo vetëm që kërkon të aprovohet nga instancat më të larta, por është edhe disi i pamundur për t‘u siguruar në një kohë të shkurtër. Ndërsa kreu i Komunës së Gracenit, Fadil Salla, tha dje se në arkën e komunës së tij nuk ka gjendje as 50 mijë lekë të vjetra për investime emergjente. Kërkesa e rënduar nga dy krerët vendorë i është përcjellë edhe Sektorit të Emergjencave në Prefekturën e Elbasanit, por dhe këtu shpresat janë të vakëta për ndërhyrje. Për pasojë janë ndërprerë të gjitha lëvizjet e mjeteve të transportit të udhëtarëve sikurse edhe furgonët e furnizimit me ushqimet bazë për të shtatë fshatrat.