Vrasja e Korçës, i akuzuari gjen alibi
Vrasja e bujshme e Nikolin Sonellarit në Korçë, vazhdon të jetë në duart e grupit hetimor dhe të prokurorisë së rrethit. Kjo e fundit ka nisur tashmë procedimin penal për Leonard Pashon, i cili u arrestua pak orë pas vrasjes së 29-vjeçarit, si i dyshuar për krimin. Por ndërsa nga ana e burimeve të grupit hetimor bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes janë gjetur prova të ndryshme shkencore, që implikojnë të arrestuarin, ky i fundit pretendon se ka një alibi dhe ka kundërshtuar akuzën e rëndë. Avokati i 30-vjeçarit Pasho ka deklaruar se nuk ka asnjë provë që ekzekutori të jetë pikërisht personi që është vënë tashmë në pranga. "Nuk ka prova që të konfirmojnë autorësinë e krimit për këtë person. Arrestimi është bërë pa pasur një konfirmim të qartë dhe të bazuar në prova shkencore", ka thënë avokati i të arrestuarit Leonard Pasho. Sipas tij, në momentin e arrestimit Pasho ka pasur në xhep një skedinë lotarie, që vërteton se në kohën e vrasjes ai ka qenë në brendësi të qytetit dhe jo në periferi, ku ndodhi krimi. Kjo alibi, sipas avokatit, mbështetet edhe nga disa qytetarë të Korçës, që e kanë parë Pashon pranë pikës së basteve sportive. Avokati pretendon se Leonard Pasho është vënë nën akuzë, vetëm sepse dy ditë më parë ka kërkuar me insistim të takohet me viktimën. Pasho kishte shkuar edhe në familjen e Nikolin Sonellarit për ta takuar, duke vënë në dijeni prindërit se ka një çështje urgjente për të biseduar. Kjo mësohet se është konfirmuar edhe nga babai i viktimës. Sipas policisë Pasho po e kërkonte shokun për disa para që duhet të vinin nga shteti grek. Sipas burimeve të mirinformuara, Nikolin Sonellari udhëtonte shpesh drejt Greqisë, ndërsa kishte disa ditë që ishte kthyer, ndaj shoku i tij, Leonard Pasho, ka dashur ta takojë. Ndërkohë, policia nuk ka përcaktuar ende llojin e armës me të cilën është ekzekutuar 29-vjeçari Nikolin Sonellari. Nga ekspertiza mjekoligjore rezultoi se ai ishte qëlluar dy herë në kokë.