E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier dhe Kukës, dy të vdekur mbi asfalt

Një aksident automobilistik me pasojë vdekjen është regjistruar në orët e para të mëngjesit të djeshëm në aksin rrugor Fier-Lushnjë. 65-vjeçari Sadik Cakaj, banori i lagjes "Liri Gero" në Fier, është goditur për vdekje nga automjeti me targë MK2031A, tip "Ford", që drejtohej nga shtetasi Arif Isufaj, banor i fshatit Drenovë të Mallakastrës. Ngjarja ka ndodhur afër Vijës së Ngjalës, rreth orës 05:10 të mëngjesit. I moshuari, punonjës në një lavazh automjetesh, pranë shtëpisë së tij, ka qenë duke shtyrë një karrocë dore, kur është përplasur nga furgoni që vinte me shpejtësi nga mbrapa. Në furgon udhëtonin bashkë me shoferin edhe familjarët e tij, të cilët ishin nisur nga fshati i tyre për në Tiranë. Viktima është goditur dhe marrë zvarrë për më shumë se 30 metra dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Shoferi dhe familjarët e tij janë munduar t‘i japin ndihmën e parë dhe e kanë transportuar menjëherë për në spitalin e Fierit, por çdo përpjekje ka qenë e kotë. Pas aksidentit, policia ka bllokuar automjetin dhe ka arrestuar shoferin. Një tjetër aksident i rëndë ka ndodhur të dielën në mbrëmje në rrugët e Kukësit, ku ka mbetur i vdekur një ri rreth 24-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 në lagjen "Gostil" te vendi i quajtur "Kampi arab", ku një automjet tip "Mercedes Benz" me targa të Kukësit, i drejtuar nga adoleshenti Musa Duraku, 18 vjeç, ka aksidentuar kalimtarin e rastit, shtetasin Alban Trota, të datëlindjes 1984. Burime të policisë thanë se automjeti ka qenë duke udhëtuar në drejtimin Bicaj-Kukës. Shkaku, siç pohohet paraprakisht, ka qenë shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor. Pas ngjarjes, Duraku është larguar me shpejtësi nga vendi i aksidentit dhe i është shmangur policisë deri në orët e mesnatës, kur është vënë në pranga. Kalimtarët e rastit që kanë parë ngjarjen, kanë pohuar se viktima kishte dhënë shpirt para se ta dërgonin në spital për shkak të dëmtimit të kafkës nga përplasja në asfalt. Burimi zyrtar i policisë thotë gjithashtu se Duraku nuk kishte leje të drejtimit të mjetit, ndërsa në dosjen penale, ndaj tij rëndon jo vetëm aksidenti, por edhe largimi nga vendi i ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›