E Diel, 1 Nëntor 2026

Prangoset për abuzim me shpronësimet një arkëtar komune

Policia arreston për korrupsion arkëtarin e një komune në Fier. Izet Allia, 43 vjeç, banor i fshatit Frakull, me detyrë arkëtar në Komunën Frakull në Rrethin e Fierit, është vënë në pranga pasditen e djeshme, nga punonjësit e zyrës së SAEF-it në Drejtorinë e Policisë së Qarkut. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të policisë dhe nga kreu i Komunës Frakull, Viktor Cervanaku. Arsyeja e arrestimit të 43-vjeçarit Allia, sipas burimeve zyrtare policore, mësohet të jetë abuzimi që dyshohet se ka kryer me faturat e shpronësimeve kur është ndërtuar Ujësjellësi Fier-Kafaraj. Sipas burimeve policore, agjentë të policisë kanë rreth dy muaj që hetojnë për këtë çështje. Nga të dhënat e mbledhura është konkluduar se arkëtari ka abuzuar në fazën e shpronësimeve dhe akuzohet se u ka dhënë fshatarëve të shpronësuar më pak para se sa u takonin në të vërtetë. Madje, policia thotë se posedon edhe dokumentet që kanë marrë fermerët dhe zërat e ndryshuar nga ndërhyrja në fashikujt ku paraqitej shuma konkrete që duhet të kishin marrë të shpronësuarit. Ky skandal ka plasur rreth një vit më parë. Si policia, ashtu dhe prokuroria e rrethit, filluan hetimet, në bazë të denoncimeve të fshatarëve të zonës. Ndërkohë, shkelja është vërtetuar edhe nga auditi i Prefekturës së Fierit në Ndërmarrjen e Ujësjellësit. Pas denoncimit edhe nga prefektura, prokuroria bëri verifikime në Ndërmarrjen e Ujësjellësit, por edhe në Komunën Frakull. Në Ndërmarrjen e Ujësjellësit prokuroria bllokoi dokumentet që flisnin për shkeljet financiare. Ndërkohë që vijimi i hetimeve në komunë zbuloi shkelje të tjera, që çuan në arrestimin e arkëtarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›