E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenti i fundit, pushohen nga puna tri veta

Pas aksidentit të fundit të ndodhur në minierën e Bulqizës, ku humbi jetën 50-vjeçari Njazi Alliu, është zhvilluar nga drejtoria e kësaj ndërmarrjeje analiza për nxjerrjen e përgjegjësive për këtë aksidenti tragjik. Kjo ngjarje e rëndë, ndodhur rreth mesditës së të shtunës së kaluar, në nivelin e 16-të të pusit nr.2, u interpretua në mënyra të ndryshme nga sindikata e minatorëve dhe drejtoria e kësaj ndërmarrjeje. Sindikalistët e konsiderojnë humbjen e jetës së 50-vjeçarit si pasojë të kushteve të paplotësuara të sigurisë në punë. Ndërsa drejtuesit e minierës, menjëherë pas aksidentit tragjik, njoftuan për mediat se viktima ka humbur jetën duke punuar në një front të bllokuar, pa urdhër pune nga personeli inxhiniero-teknik. Ndërkohë, pas analizës, drejtoria e minierës ka pushuar nga puna përgjegjësin e nivelit, teknikun dhe brigadierin, ndërsa është ndëshkuar me vërejtje edhe kryeinxhinieri i minierës, Fadil Cani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›