Bukëpjekësit e Elbasanit arrijnë marrëveshje: Stop shtrenjtimit!
Dy ditët e fundit në qytetin e Elbasanit janë shtuar radhët qytetare në disa furra të veçanta të bukës. Paniku i rritjes së çmimit ka bërë që shumë banorë, nga thuajse të gjitha lagjet e Elbasanit, të grumbullohen te furra "popullore" e këtij qyteti, ajo e Xhevat Kobures. Mendohet se ky i fundit ka bërë që të mblidhet me urgjencë shoqata e prodhuesve të bukës në qytetin e Elbasanit.
Në këtë mbledhje vendimi ka qenë i shpejtë dhe unanim nga të 43 anëtarët e shoqatës. "Stop rritjes së çmimit të bukës në këtë qytet!", ky ka qenë epilogu dhe prologu i këtij takimi, ku është arritur në përfundimin që asnjë subjekt i prodhimit të bukës në nivelin e biznesit të vogël të mos rrisë çmimin e lakuar këto ditët e fundit. Konsensusi i djeshëm ka vendosur që buka masive të mos jetë më tepër se 80 lekë për copë. Ndërkohë është vendosur që brenda këtij çmimi të mos luhet as me cilësinë dhe as me gramaturën e bukës, çka presupozon që të ruhet masa e një kilogrami bukë përkundrejt 80 lekëve.
Nënkryetari i kësaj shoqate, Artan Koburja, u ka bërë apel të gjithë furrtarëve për balancimin e këtij çmimi në të gjitha njësitë tregtare të shitjes së bukës. "Vendimi ynë është unanim dhe human. Po bëjmë sakrifica, duke ulur fitimin, por u kërkojmë organeve shtetërore që të mbyllin furrat e prodhueshmit të bukës, që funksionojnë pa licencë në qytetin e Elbasanit", ka pohuar Koburja. Shpejt i është përgjigjur edhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në Elbasan, për të respektuara çmimin stabël të bukës si dhe për të mbajtur nën kontroll aktivitetet e paligjshme.
Kreu i tatimeve, Skënder Daja, në një deklaratë për mediat ka shpjeguar masat e marra nga ky institucion. "Ne kemi nisur kontrollet që prej tri ditësh, për të parë furrat e licencuara dhe ato që luajnë me çmimet në kurriz të subjekteve të regjistruara", ka pohuar Daja. Sipas tij, janë duke u kontrolluar rreth 43 furra buke në qytet dhe 27 në fshatra, për aktivitetin e ligjshëm të tyre, në mënyrë që të mos krijohet informalitet në këtë biznes.
Në sitën e Drejtorisë së Tatim-Taksave janë duke kaluar edhe katër biznese të mëdha të prodhimit të bukës, që kanë ngritur pretendimin e rritjes së çmimit, përderisa mielli që vjen nga importi është shtrenjtuar me 30 dollarë për kuintal.
Sidoqoftë, sot pritet që konsumatori elbasanas të mos riskojë për bukën e përditshme, çmimi i së cilës është vendosur për bukën masive vetëm 80 lekë, por në fakt 10 lekë më shumë nga ç‘ishte para gjashtë muajsh. Me fat ndjehen përdoruesit e bukës së misrit, ku nuk ndihet rritja e çmimit. "Unë siguroj të gjithë konsumatorët se edhe për gjashtë muaj, me rezervat që kemi, nuk mund të aplikohet asnjë rritje çmimi, për sa i përket bukës së misrit", ka pohuar Albert Shopi, drejtues i njërit prej subjekteve të biznesit të madh në prodhimin e bukës në Elbasan. Sidoqoftë, nuk besohet që elbasanasve t‘u ofrohet për ushqimin bazë vetëm buka e misërt, përderisa ajo nuk njeh krizën e çmimeve, pasi prodhohet në vend.
Një vendim për ruajtjen e çmimit të bukës në nivelin aktual është marrë disa ditë më parë edhe nga bukëpjekësit e Qarkut të Dibrës, një nga zonat më të varfra të vendit. Ndërkohë, në shumë qytete shoqatat e bukëpjekësve nuk kanë arritur dot në marrëveshje dhe çmimi i bukës ndryshon nga një furrë në tjetrën.