E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenti në minierë: Nuk është zbatuar disiplina teknike në punë

Analiza pas aksidentit më të fundit të ndodhur në minierën e Bulqizës ka nxjerrë si përfundim se çdo gjë ka ndodhur si pasojë e moszbatimit të kushteve teknike. Ditën e djeshme është zhvilluar analiza e aksidentit të ndodhur më 14 dhjetor të këtij viti, në minierën e nxjerrjes së kromit Bulqizë, ku gjatë punës, në një nga galeritë e nivelit të 16, të pusit nr. 2 të saj, u aksidentua në gjendje të rëndë armatori i brigadës së prapavijës, 45-vjeçari Sami Doga, i cili më pas ndërroi jetë në Spitalin Ushtarak Tiranë. Ky aksident i rëndë, me pasojë vdekjen, i pesti brenda këtij viti, ka ngjallur mjaft diskutime, veçanërisht për t‘i dhënë përgjigje pyetjes, nëse janë plotësuar nga firma e huaj, kushtet e sigurisë në punë për minatorët e kësaj miniere, për rifillimin e punës në të? Pasi, siç dhe dihet, pas protestave të minatorëve, që vazhduan gjatë gjithë muajit qershor dhe vdekjes së minatorit, Mehdi Jani, i cili ishte i katërti minator i aksidentuar me vdekje në më pak se tre muaj, ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, lëshoi urdhrin për mbylljen e kësaj miniere, deri në plotësimin e kushteve të sigurisë në punë për minatorët nga firma e huaj ruso-austriake. Dhe ka qenë një urdhër i RISHM-it, organ i specializuar për kushtet e sigurisë në punë në miniera, në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, lëshuar më 08.11.2007, që ka zhbllokuar punën në këtë minierë. Por ende pa nisur mirë puna, ndodh aksidenti tjetër i radhës, ku shkëputja e një mase shkëmbi nga tavani i galerisë, i merr jetën 45-vjeçarit Doga. Për të analizuar këtë aksident të rëndë, janë mbledhur në një takim, në një nga mjediset e ambienteve të kësaj miniere, stafi drejtues i saj, punëtorë të grupit të punës, si dhe përfaqësuesi i MEE-së, Orhan Koçi, dhe nëndrejtori i RISHM-it, Hamit Çoka, së bashku me dy inspektorë. Drejtori aktual i minierës, inxhinier Petrit Duva, tha për "Shqip", se në këtë analizë është diskutuar me përgjegjësi të lartë nga pjesëmarrësit, sidomos në drejtim të parandalimit të aksidenteve të tilla në të ardhmen. Përfundimisht, në lidhje me aksidentin e fundit, është arritur në konkluzionin se shkaku i aksidentit ka qenë moszbatimi i disiplinës teknike nga minatorët, pasi armatorët e galerive janë persona të kualifikuar dhe të instruktuar për këtë specialitet pune. Por, vazhdon më tej drejtori Duva, edhe përgjegjësit dhe teknikët e niveleve duhet që në të ardhmen të forcojnë edhe më shumë kërkesat, për zbatimin me përpikmëri nga minatorët të rregullave të sigurimit teknik, për parandalimin e aksidenteve në minierë. Ndaj, në këtë analizë, u është dhënë vërejtje gjithë përgjegjësve dhe teknikëve të 16 niveleve të pusit nr. 2 dhe, veçanërisht, përgjegjësit dhe teknikut të nivelit të 16, ku dhe ndodhi aksidenti, Kadri Zeneli dhe Islam Laçi. Gjithsesi, do të jetë organi i akuzës, Prokuroria e Dibrës, që do të përcaktojë shkaqet e aksidentit dhe personat përgjegjës për këtë ngjarje të rëndë, ku humbi jetën minatori 45- vjeçar, Sami Doga.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›