Policia gjen 125 kg hashash, por jo trafikantët
Ndonëse në rrugë operative, policia e kufirit në Gjirokastër kishte informacion për trafikim droge në drejtim të Greqisë në afërsi të fshatit Koshovicë të Dropullit të Sipërm. Operacioni i saj nuk është finalizuar me kapjen e autorëve, por vetëm me kapjen e një sasie prej 125 kg hashash të presuar. Burime të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bënë të ditur se agjentët e sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar, mbështetur edhe në një informacion paraprak të siguruar në rrugë operative, se në zonën në afërsi të fshatit Koshovicë të Komunës së Dropullit të Sipërm, rreth 5 km larg pikës së Kakavijës, një grup trafikantësh ishin duke transportuar lëndë narkotike në drejtim të Greqisë, nisën një operacion të shpejtë, që nuk arriti të finalizohet me kapjen e trafikantëve. Gjatë këtij operacioni organizuar në bashkëpunim midis agjentëve të antidrogës dhe strukturave të reja të policisë kufitare të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, që nisi funksionet e saj një javë më parë në Gjirokastër, fillimisht është kryer krehja e zonës, ku sipas informacionit paraprak mendohej se lëvizte grupi i trafikantëve. Gjatë kontrollit të zonës, policia mundi që në vendin e quajtur kthesa e Koshovicës, midis fshatit Llongo dhe Koshovicë, disa metra poshtë rrugës automobilistike, midis shkurreve të shpërndara, agjentët e policisë gjetën të fshehura 5 çanta shpine me ngjyrë të zezë brenda tyre kishte lëndë narkotike. Sipas policisë, lënda narkotike ishte përpunuar e presuar dhe e mbështjellë me natriban ngjyrë kafe në pako, një kilogram. Pas sekuestrimit dhe peshimit rezultoi se pesha e përgjithshme e drogës së gjetur ishte 124,5 kilogramë. Ndërkohë burime informacioni nga fshati Koshovicë bëjnë të ditur se trafikantët e lëndës narkotike të sekuestruar, pasi kanë konstatuar lëvizjet e policisë për kapjen e tyre, kanë fshehur dhe braktisur çantat me drogë dhe kanë kaluar në territorin grek në zonën midis fshatrave grekë të Kastanjasë dhe Shën Marisë, duke iu shmangur goditjes së drejtpërdrejtë të policisë shqiptare.