Gjetja e eshtrave, do vazhdojë ndërtimi i palestrës
Një vendim në akord me palët është ndërmarrë për të mos cenuar interesat e Bashkisë së Korçës për ndërtim, dhe nga ana tjetër edhe ato të Kishës Ortodokse në vendin ku një javë më parë nga ana e klerit u grumbulluan disa eshtra që mendohet se janë të dhespotëve dhe që datojnë që nga ndërtimi i kishës së dikurshme 600-vjeçare të Shën Harallambit. Punimet për ndërtimin e objektit arsimor, të cilat ishin pezulluar nga bashkia si investim për arsimin pas pretendimeve të Kishës Ortodokse për ekzistencën e një varreze ku ndodheshin eshtra të dhespotëve, do të rinisin në këtë vend. Një ekipi specialistësh me përfaqësues nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe arkeologë, u kanë dhënë fund debateve të hapura mes kishës dhe bashkisë, për vendin ku po kryhen punimet, duke kënaqur kështu interesat e dy palëve. Këto punime të nisura rreth një muaj më parë dhe të cilat u ndërprenë pas ankesave të klerit ortodoks nga ana e bashkisë së qytetit, pas një akordi mes këtij institucioni dhe vetë Mitropolisë do të zhbllokohen, por duke respektuar disa kritere dhe kushte. Gjuha e përbashkët që kanë gjetur palët me ndërmjetësimin e specialistëve që kanë ndërhyrë për këtë situatë, ka nxjerrë edhe konkluzione dhe vendime për të mos cenuar interesat për arsimin nga njëra anë me ngritjen e një palestre për fëmijët e shkollës "Sevasti Qiriazi", dhe nga ana tjetër ato të kishës për pronën. Kështu nga ana e specialistëve, të cilët kanë zbritur në Korçë ku gjatë dy ditëve kanë studiuar terrenin dhe janë njohur nga takimet me dokumentet mbi pronën, është vendosur përfundimisht që të ngushtohet sipërfaqja e ndërtimit. Kjo do të thotë se projekti i nisur nga bashkia për ngritjen e një palestre në sheshin që i është njohur Kishës Ortodokse, do të jetë i kufizuar brenda një sipërfaqeje të caktuar. Sipas përgjegjësit të sektorit të arkeologji shpëtimit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës pas kontakteve me mitropolitin, vlerësimeve nga ana e arkeologëve dhe specialistëve si dhe akordit me bashkinë e qytetit, është vendosur që të ngushtohet sipërfaqja e sheshit të ndërtimit deri në kufijtë e territorit të kishës.