Bluzat e bardha dhurojnë gjak në spital
Punonjësit e spitalit rajonal të Durrësit dhurojnë gjak për të plotësuar nevojat për lëngun jetik. Burime nga spitali i Durrësit bënë të ditur se dhurimi u bë në kuadër të javës së dhurimit vullnetar të gjakut për fëmijët talasemikë dhe të gjithë ata që kanë nevojë për të. Thirrjes i janë përgjigjur pozitivisht një pjesë e personelit mjekësor, si dhe drejtori i spitalit. Në ditët e para të kësaj fushate kanë dhuruar gjak rreth 50 persona, përfshirë edhe vetë mjekët. Të gjithë dhuruesit u nënshtrohen analizave të rrepta, para se gjaku i tyre të kalojë në damarët e talasemikëve apo personave të tjerë në nevojë, kryesisht pacientë të kirurgjisë së spitalit të Durrësit. Pas zbulimit tre vjet më parë të një dhuruesi rom sieropozitiv, në Durrës u krijua një situatë e pafavorshme që ndikoi dhe në grumbullimin e sasive të gjakut. Burimet nga banka e gjakut në spital bënë të ditur se sensibilizimet e vazhdueshme kanë çuar në rritje dhurimin e gjakut, duke shënuar një efikasitet konkret të fushatave të bëra. Megjithatë, në këtë spital, mjekët në përgjithësi shprehen për nevojën në vazhdimësi të ndërgjegjësimit të popullatës për dhurimin vullnetar të gjakut, pasi numri i dhuruesve të gjakut kundrejt pagesës ka ardhur në rënie. Ky fakt konfirmohet edhe nga Shoqata e Dhuruesve të Gjakut.