Fier, hetim për shpronësimet e pronarëve
Investimet e kryera prej Bankës Botërore në Ujësjellësin e Fierit janë bërë objekt i një hetimi disa mujor të prokurorisë. Prej gjashtë muajsh, një dosje e investimit të kryer 3 vjet më parë me fondet e BB-së për stacionin e Kafarajt, nga ku furnizohet me ujë gjithë qyteti i Fierit dhe disa rrethina të tij, është duke u hetuar prej organit të akuzës fierake. Nën hetim janë drejtuesit e mëparshëm dhe ata aktualë të Ndërmarrjes së Ujësjellës- Kanalizime sh.a, administrata e Komunës Frakull si dhe disa firma kontraktore. Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga vet kreu i Prokurorisë së Fierit, Elvin Gokaj, ndërkohë që Policia e Fierit është duke kopsitur dosjen e dëshmisë të disa fermerëve, të cilët janë prekur nga investimi dhe janë paguar shumë më pak se ç‘ishte paraqitur në dokumente. Bëhet fjalë për procesin e shpronësimit të 400 fermerëve të Komunës Frakull e Levan, të cilëve u janë prekur tokat nga shtrirja e një tubacioni të madh nga Stacioni i Pompimit në Kafaraj, deri në Qafë të Koshovicës. Sipas burimeve zyrtare të Prokurorisë së Fierit mësohet se objekt hetimi është bërë procesi i shpronësimit, gjatë të cilit fermerët kanë përfituar shumë më pak para nga ato që janë dokumentuar në dosjen përkatëse. Po burimet zyrtare nga grupi i prokurorëve tregojnë për "Shqip" se në dokumentacionin e procesit të shpronësimit është verifikuar që është ndërhyrë në faturat e pagesave të fermerëve, duke iu shtuar shumave që u është shpërndarë atyre nga një zero më shumë. Për plotësimin e kësaj dosjeje voluminoze, Prokuroria e Fierit ka thirrur të dëshmojë një pjesë të mirë të administratës së Komunës Frakull, asaj të Levanit si dhe të Ndërmarrjes së Ujësjellësit. Ndërkohë që Policia e Fierit, prej pesë ditësh, është duke siguruar deklaratat shtëpi më shtëpi të fermerëve lidhur me sasinë e parave që kanë përfituar pas shpronësimit. Sipas burimeve zyrtare të Prokurorisë së Fierit dhe kreut të saj, mësohet se është abuzuar me fondin e shpronësimeve në një shumë afro 30 milionë lekësh. Denoncimi për këtë abuzim me shpronësimet lidhur me investimet e viteve të fundit në Ndërmarrjen e Ujësjellësit Fier është kryer nga institucioni i Prefekturës së Fierit. Ka qenë Auditi i Brendshëm i këtij institucioni që në kontrollin e tij është përballur me shkeljen e kryer. Auditi raporton menjëherë kreun e prefekturës dhe ky i fundit së bashku me dosjen për shkeljet e gjetura i drejtohet prokurorisë. Gjithashtu pranë Prefekturës së Fierit nuk kishin munguar as ankesat e fermerëve që u shpronësuan me shuma të vogla e që ndiheshin nën presion, ndërsa përfitonin realisht më shumë. Kreu i Ndërmarrjes së Ujësjellësit në Fier, Artur Çobo, në një prononcim për gazetën "Shqip" ka pranuar hetimin që ka përfshirë ndërmarrjen që drejton. Çobo ka pohuar se gjithçka është bërë në periudhën kur kjo ndërmarrje drejtohej nga kreu i mëparshëm, Vezir Muça. Sipas Çobos konfirmohet gjithashtu se "janë sekuestruar dosjet e shpronësimeve për fermerët e Komunave Frakull e Levan. Si fillim ka ardhur auditi, ai që ka gjetur shkelje, e më pas disa prokurorë. Këta të fundit kanë marrë dosje, i kanë hetuar dhe kanë ndërhyrë në arkivat tona, me lejen tonë, për të siguruar provat e dokumentuara. Gjithashtu jam treguar i gatshëm për të lënë në dispozicion të prokurorisë të gjitha dosjet që dëshirojnë".
Ndërkohë që në Komunën Frakull, kreu i saj, Viktor Cervanaku, heq çdo lloj përgjegjësie nga komuna e tij, lidhur me këtë abuzim që nga prokuroria deklarohet se do të pasohet me arrestime. Sipas Viktor Cervanakut mësohet se edhe disa blloqe faturash të zyrës së financës së kësaj komune janë sekuestruar dhe se komuna nuk ka pasur asnjë rol në këtë proces.