E Diel, 1 Nëntor 2026

Irlandë, racistët kërcënojnë biznesmenin shqiptar

Racistët kanë kërcënuar një biznesmen shqiptar në Irlandën e Veriut. 34-vjeçari Artur Cufaj jeton prej 12 vjetësh në Belfast dhe është pronar i dy lavazheve, të cilët janë sulmuar dhe goditur disa herë ditët e fundit. Sipas burimeve të ndryshme nga Irlanda e Veriut, Cufaj është baba i dy fëmijëve. Ai ka deklaruar se lavazhet e tij janë shkarravitur me mbishkrime kërcënuese, përmes të cilave i kërkohet të largohet menjëherë nga vendi. Në të kundërt, ai dhe familja e tij janë të rrezikuar. Sipas të njëjtave burime, emigranti shqiptar është shprehur për gazetën e njohur "Belfast Telegraph", se ndihej i frikësuar për fatin e familjarëve të tij, bashkëshortes Jonida, 26-vjeçe dhe dy vajzave të tij të vogla.

Ai tha, gjithashtu, se në njërin prej lavazheve që ka në pronësi ishte vendosur qëllimisht zjarri disa ditë më parë dhe ai kishte pësuar dëme të konsiderueshme. Cufaj fitoi azil politik në Irlandë dhe ka pasaportë britanike. Nuk ka të dhëna të tjera, por mësohet se policia e Belfastit i ka ofruar shqiptarit 34-vjeçar dhe familjes së tij, mbrojtje deri në përfundimin e hetimeve dhe identifikimin e kërcënuesve të tij. Belfasti konsiderohet si një prej qyteteve më të rrezikshme në Irlandë, për shkak të një fryme raciste, e cila, me gjithë angazhimin e autoriteteve shtetërore, vazhdon të jetë gjithnjë e më e pranishme, shpesh edhe si pasojë e një konflikti të zgjatur midis protestantëve dhe policisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›