Vdesin dy persona, po hapnin një kanal
Dy persona vdesin për ujë. Ndërsa kanë hapur kanale për të pasur ujë për vaditjen e pemëtoreve dhe tokave të tyre në fshat, dy persona kanë mbetur të vdekur në vend, kur një masiv dheu i ka groposur të gjallë në thellësi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Dvoran të Korçës, kur dy persona humbën jetën të groposur nga një masiv dheu, që ka mbuluar kanalin ku ata ishin futur për të shtruar tubat. Kujtim Bregu dhe Kasëm Shameti ishin nisur në mëngjes, ndërsa kishin lënë në pjesën kodrinore, jo shumë larg vendit ku po kryenin punimet privatisht, një furgon me të cilin kishin udhëtuar disa kilometra nga fshati i tyre. Kanali vaditës, për të cilin po punonin për të çuar ujë në pemëtore, është mbyllur papritur, kur masivi i dheut i ka kapur poshtë duke i izoluar në kanalin e hapur. Ka qenë një dëshmitar që punonte me një mjet për gërmime ai që ka njoftuar bashkëfshatarët e tjerë, ndërsa e kanë gjetur pa ndjenja. Nga tronditja që i ka shkaktuar tragjedia ku mbetën të vrarë shokët e tij, Gjergji Shkëmbi ka humbur ndjenjat, ndërsa një tjetër banor i zonës ka mundur ta çojë me urgjencë drejt spitalit. Në vendin ku kanë mbetur të vdekur dy personat, Kujtim Bregu, 57 vjeç, dhe Kasëm Shameti, 45 vjeç, ende nuk është bërë e mundur gjetja e trupave të tyre. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 15.00, ndërsa zona në kodër të fshatit është rrethuar nga dhjetëra banorë që kanë nisur të kryejnë menjëherë kërkimet për nxjerrjen e trupave. Policia, që ka shkuar në vendngjarje, ka deklaruar se shkak është bërë shembja e kanalit vaditës dhe rrëshqitja e masivit të dheut. Dy banorët kanë qenë punëtorë krahu, ndërsa ishin duke hapur kanalin ku do të vinin tubat për llogari të tyre. Sipas bashkëfshatarëve në zonën ku ata po kryenin punime kishin përreth pemë frutore, por kanali do të shërbente edhe për tokat bujqësore. Mbi kanalin që nuk e kalonte gjerësinë 1 metër, në momentin e ngjarjes ka qenë duke punuar edhe një mjet, por fatmirësisht drejtuesi ka shpëtuar, edhe pse me trauma në spital, ku po mbahet nën mbikëqyrjen e policisë që ka nisur hetimet për këtë rast tragjik. Banorët e Dvoranit thonë se disa herë i kishin porositur dy viktimat të mos punonin në atë zonë në këtë periudhë, për faktin se toka si rrjedhojë e lagështirës është e paqëndrueshme. Për çudi, masivi i dheut ka rrëshqitur vetëm në zonën ku ishte ndërhyrë dhe pikërisht aty ku ndodheshin dy viktimat, që janë mbuluar me dhe e baltë poshtë kanalit të thellë 5 metra. Ndërsa kanë mbetur të vdekur, ka qenë pothuajse e pamundur të zbuloje zonën. Një mjet që është vënë menjëherë në punë nga grupi hetimor dy orë pas ngjarjes ka arritur në dy metra thellësi dhe ka gjetur trupat. Të afërmit e dy personave kanë marrë vesh me vonesë humbjen tragjike të punëtorëve në kanal, ndërsa nuk janë lënë të afrohen në vendin ku ata ndodheshin të groposur. Policia ka marrë në pyetje pjesën më të madhe të banorëve dhe të afërmit. Për banorët, besimtarë të zonës së Dvoranit, tragjedia e dyfishtë ka dhe një shpjegim fetar. Krahas faktit, se siç thotë B.H., një nga banorët e fshatit, dheu nuk ka pasur taban dhe ka qenë i paqëndrueshëm e i palidhur me tokën, vendi njihej si i shenjtë nga ana e bashkëfshatarëve të tjerë. "Këtu asnjëherë, edhe pse ka pasur pemë, nuk janë bërë punime nga fshatarët. Pemët vaditeshin me ujë nga toka e shiu dhe asnjë nuk ka pasur guxim të bëjë punime këtu, se siç thonë pleqtë e vjetër, më parë në këtë vend mbi kodër ka qenë një vakëf".