E Diel, 1 Nëntor 2026

Në një vit, 40 të vdekur nga aksidentet

Viti 2007, për Qarkun e Shkodrës, paraqitet si një ndër vitet më problematike për sa u përket aksidenteve rrugore. Kështu që pas 1990-ës, viti që po lëmë, shënon dhe numrin rekord të aksidenteve. Shifrat flasin për statistika të ngjashme me atë të një lufte. Këtë vit numërohen 40 viktima dhe 122 të plagosur në 110 aksidente të ndodhura gjatë vitit 2007. Shifrat flasin për çdo javë për dy aksidente, ku në 10 ditë një person vdes në Shkodër nga aksidentet rrugore. Numri i viktimave të aksidenteve në vitin 2007 është i ngjashëm me numrin e viktimave me trazirat e vitit 1997. Gjatë analizës së policisë është kërkuar ndër të tjera një vëmendje më e madhe qarkullimit rrugor në parandalimin e aksidenteve. Me gjithë punën e bërë nga policia ku janë bllokuar rreth 1 mijë automjete, ndëshkuar mbi 1500 drejtues automjetesh për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, sërish aksidentet shfaqen frikshëm në Shkodër. Sipas drejtuesve të qarkullimit rrugor, përveç shkeljeve të rregullave të qarkullimit, problem alarmant është mungesa e ndriçimit në rrugët nacionale dhe elementet mbrojtëse në rrugët malore për të mos rënë në humnera. Statistikat tregojnë se 80% e aksidenteve kanë ndodhur natën nga mungesa e ndriçimit rrugor dhe në zonat e thella malore, ku mungojnë elementet mbrojtëse. Një ndër aksidente më të rënda të ndodhura jo vetëm në Shkodër, por në gjithë Shqipërinë gjatë këtij viti, ka ndodhur në rrugën e Dukagjinit, ku furgoni me 13 persona përfundoi në një humnerë 700 metra poshtë. Nëse kjo rrugë do të kishte barrierë mbrojtëse metalike, aksidenti nuk do të kishte pasur përmasa të tilla tragjike. Në gjithë Qarkun e Shkodrës, në zonat malore, numërohen mbi 200 pika të rrezikshme, për të cilat Policia e Shkodrës shprehet se rrugë të tilla, si ajo e Dukagjinit, janë jashtë kontrollit të policisë. Po sipas drejtuesve të policisë rrugore Shkodër, këto rrugë duhen të bllokohen, të mos lejohet qarkullimi, pasi këtu nuk bëhet fjalë vetëm për mungesën e sinjalistikës, por janë rrugë mali të amortizuara, buzë humnerave krejtësisht të pambrojtura dhe nga dita në ditë mund të ndodhin aksidente nga më të rëndit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›