E Diel, 1 Nëntor 2026

Prefekti: Suksesi ynë, bashkëqeverisja vendore

Institucioni i prefektit në Elbasan, sipas formulës bashkëqeverisëse të PD-së me aleatët, i ka takuar demokristianëve. Për rrjedhojë, PDK-ja në qendër do të propozonte për emrin në postin e prefektit të Elbasanit, të sapoangazhuarin në politikën demokristiane në Elbasan, Rezart Kovaçin, me profesion mësues. Edhe pse pa shumë përvojë në qeverisjen lokale, Kovaçi është mbështetur te specialistët më me përvojë në këtë institucion, që i kanë bërë "ballë" dy prefektëve paraardhës, Sejdinit të PS-së dhe Hasekiut të PD-së. Në këtë kontekst, në vlerësimin e përvojës, duket se prefekti i ri ka gjetur edhe një mbështetje jo të paktë nga dy figurat më me përvojë në pushtetin lokal, Qazim Sejdini, kryetar i bashkisë dhe Ardian Turku, aktualisht kryetar i Këshillit të Qarkut të Elbasanit.

Ishte surprizë emërimi juaj në këtë post, apo e prisnit?

Të jem i sinqertë, nuk e prisja. Kështu që mbetet surpriza, por e vështirë. Propozimi është bërë direkt nga kreu demokristian dhe emërimi, kuptohet, nga Kryeministri Berisha.

Pra ia dedikoni kreut të PDK-së, Nard Ndokës?

Dedikimi ndaj kreut të PDK-së mbetet vetëm në atë që ai diti të vlerësojë punën time në organizimin e fundit të degës së kësaj partie, aftësitë dhe energjitë e mia. Përgjegjësia për punën, mbetet dedikim i vetvetes.

Shumë drejtori varen nga institucioni i prefektit. Krerët janë të gjithë demokristianë?

Nuk jam nisur nga ky këndvështrim i ngushtë politik. Unë kam ruajtur linjën e koalicionit me PD-në, por kam propozuar pak drejtues sipas aftësive edhe nga partia që më solli në këtë post.

Edhe në punë këto parime keni?

Jo, aspak. Puna në këtë institucion del jashtë politikës për t‘iu përgjigjur njerëzve. Kësisoj, marrëdhëniet me drejtoritë e ndryshme në juridiksionin e prefekturës, nuk lidhen me përkatësinë e tyre politike, siç nuk kam paragjykuar edhe ndonjë drejtues që indirekt i përket opozitës në bazë.

Ku duket se çalon puna juaj?

Direkt jo. Indirekt mendoj se çalon te paaftësia e disa këshillave të komunave apo tek-tuk edhe bashkisë, që marrin vendime në kundërshtim me kompetencat dhe ligjet specifike për këto njësi vendore. Në të tilla raste do t‘u duhet specialistëve juristë të prefekturës të ndërhyjnë për zgjidhjen e konflikteve në marrjen e vendimeve nëpër këshilla komunash a bashkish. Dhe këto nuk janë raste të pakta.

Nuk ju duket se qarku dhe prefektura janë dy institucione shtetërore në të njëjtën njësi administrative dhe paralelizojnë njëra-tjetrën?

Në dukje po. Por kompetencat janë të ligjëruara dhe secili bën detyrën e tij në bazë të ligjit. Nëse ligji një ditë do të suprimonte njërin nga institucionet që sillni ju si shembull, kjo detyrë i del Kuvendit dhe sërish do të kishim një paketë të re ligjesh dhe kompetencash të një institucioni qeverisës në të njëjtën njësi administrative, por më me gjerësi veprimi dhe detyrash.

Si janë marrëdhëniet tuaja me qarkun dhe bashkinë?

Janë së pari institucionale, korrekte, ligjore por së dyti dhe mjaft shoqërore. Unë vlerësoj punën dhe përvojën e kreut të qarkut, Turkut, dhe të kreut të bashkisë, Sejdinit. Nuk ndjehem inferior, kur u kërkoj edhe mendime për rritjen e efikasitetit të punës në prefekturë.

Rezultati?

Mendoj se ky është "çelësi" i suksesit të punës sonë. Një bashkëpunim i mirë me dy godinat e tjera të pushtetit vendor na jep modelin e një bashkëqeverisjeje në funksion dhe dobi të komuniteteve për të katër rrethet e kësaj njësie administrative.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›