E Diel, 1 Nëntor 2026

Burgu i Korçës, në pritje të Ujësjellësit

Burgu i sigurisë së lartë në Korçë, një nga investimet më të mëdha të komunitetit evropian, duket se ka mbetur peng për ujë. Ajo që po diskutohet më shumë pas përfundimit të ndërtimit është gjetja e burimit nga do të furnizohet me ujë ky ndërtim madhor me një sipërfaqe prej 12 mijë metër katror e me dhjetëra godina. Pa vendosjen e sistemit dhe rrjetit furnizues të ujit, ky burg nuk mund të vihet në punë edhe pse tashmë është dorëzuar nga ana e firmës pas përfundimit të punimeve në të. Sipas përfaqësues së firmës, Tatjana Bregu, ndërtimi është përfunduar që në muajin shtator dhe janë mbyllur në fakt punimet fizike në të, por pritet që të bëhet kompletimi i ambienteve, mobilimi dhe furnizimi me ujë, që në fakt nuk janë në varësi të firmës. Burgu i sigurisë së lartë që është ndërtuar në afërsi të fshatit Boboshticë nuk mundet të furnizohet më ujë nga ky fshat, pasi ujësjellësi edhe pse i afërt, nuk ka kapacitet për të përballuar të gjithë godinat dhe funksionimin normal të sistemit furnizues. Punimet për ndërtimin e këtij burgu morën një investim prej 3.6 milionë euro nga komuniteti evropian, ndërsa për dy vjet në sipërfaqen e caktuar janë kryer punime intensive derisa sipas afateve të parashikuara në muajin shtator të vitit të kaluar është mbyllur si objekt dhe i është dorëzuar tashmë Ministrisë së Brendshme. Por ndërsa pajisjet për të kompletuar ambientet e brendshme mund të gjenden më lehtë, uji duket se është vështirë për t‘u siguruar. Për këtë, nga ana e komunës janë hedhur dy versione. Kryetari i Komunës Drenovë, që përfshin edhe zonën ku është ndërtuar burgu i sigurisë së lartë, thotë se në mbledhjen e KRRT-së janë diskutuar dhe miratuar të dyja versionet, por pritet që të merret akordi për të investuar në sistemin dhe rrjetin ujësjellës me linjat që do të kalojnë deri në këtë institucion të rëndësishëm. Flamur Sala thotë se një variant është që uji të merret nga linja e fshatit Vithkuq që ka shërbyer edhe më parë për furnizimin e zonave përreth dhe një tjetër version është ai që uji të sigurohet nga qyteti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›