E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenti si shkak i akullit, vdes nëna e 5 fëmijëve

Një aksident automobilistik i ndodhur dje pasdite rreth orës 16:00 në rrugët rurale i ka marrë jetën një gruaje 27 vjeçe dhe ka lënduar disa persona të tjerë. Ngjarja ka ndodhur në Komunën Grykë Çajë në vendin e quajtur "Ura e lapave" kur furgoni i linjës Kukës-Çajë dhe anasjelltas ka dalë nga rruga dhe ka rënë humnerë. Burime të policisë thanë se si pasojë ka mbetur e vdekur në vend Lumturie Karanxha nga fshati Fshat, nënë e 5 fëmijëve, dhe janë lënduar një numër personash që ndodheshin në të. Furgoni i drejtuar nga L.Shehu ka pasur drejtimin Kukës-Fshat, ndërsa viktima Karanxha mësohet se ka hipur në furgon në fshatin Lusën ku kishte qenë për një vizitë te babai i saj. Burime të policisë, e cila ka udhëtuar menjëherë në vendngjarje, thanë gjithashtu, se shkaku i aksidentit ka qenë akulli në rrugë, çka pohohet edhe nga persona okularë. Të lënduarve u është dhënë ndihmë e shpejtë nga policia dhe banorët e zonës dhe merret vesh se janë jashtë rrezikut për jetën përfshi edhe shoferin, i cili është lënduar duke marrë fraktura të ndryshme. Mësohet gjithashtu, se Lumturia ka lanë pas 5 vajza ndërsa i shoqi, Musliu, ndodhej prej një muaji në Itali si emigrant. Në zonën e Grykë Çajës edhe më parë kanë ndodhur aksidente me pasojë vdekjen. Në dimrin e shkuar një aksident i ngjashëm, por me autoveturë i kishte marrë jetën tre personave ndër të cilët dy femra nënë e bijë.

Normalizohet qarkullimi me Jugun e vendit në orët e vona të mbrëmjes së kaluar. E ndërsa përgjatë 48 orëve të fundit asnjë automjet i tonazheve të larta nuk mundte të kalonte qafat e maleve, përgjatë rrugës nacionale Ballsh-Tepelenë, vetëm në mbrëmje vonë u është dhënë leje kalimi atyre. Makinat janë parkuar në anësore të aksit nacional, automjetet, maune dhe autobusë, kryesisht që vinin nga Greqia e vështirësonin më shumë qarkullimin në këtë aks të rëndësishëm, i cili në këto ditë të fundit të vitit ka fluks si shkak i emigrantëve që kthehen pranë familjeve të tyre. Sipas shtabit të emergjencës në Prefekturën e Fierit, i cili prej dy ditësh gjendet i instaluar në Fratar të Mallakastrës mësohet se tashmë i gjithë aksi nacional brenda Qarkut të Fierit është i kalueshëm. Iqmet Kokoneci, shefi i emergjencave në prefekturë është shprehur se vetëm disa rrugë rurale, në zonat e thella të Mallakastrës janë ende të bllokuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›