"Uashington Post": Rusia s‘mund të ndalë Perëndimin për Kosovën
Ka filluar të duket sikur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do të mund t‘i bëjnë ballë sfidës në Kosovë, e cila është sinjalizuar nga Rusia gjithnjë e më agresive, shkruan në numrin e sotëm "Uashington post" ("Washington Post"). Pjesa më e madhe e bllokut evropian do t‘u bashkohet Shteteve të Bashkuara në mbështetje të shpalljes së pavarësisë në fillim të vitit të ardhshëm, parashikon gazeta prestigjioze amerikane. Qeveritë evropiane, shkruan më tej kjo gazetë, kanë vendosur t‘i ofrojnë Serbisë një rrugë më të përshpejtuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pasi t‘i ketë përmbushur disa kushte të caktuara. Një qasje e këtillë i ofron Serbisë dhe Rusisë zgjedhje thelbësore. Serbia mund të heqë dorë nga Kosova dhe të fillojë përgatitjet për një të ardhme në kuadër të Bashkimit Evropian; ose mund të bëjë përpjekje të destabilizojë shtetin e ri, duke i shkëputur linjat për furnizim me rrymë dhe duke trimëruar rebelimin e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës. "Uashington post" pohon se Putin duhet të vendosë nëse dëshiron të përshkallëzojë mospajtimet me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara, duke u kërcënuar me njohjen e pavarësisë së rajoneve pro ruse në Gjeorgji. Zgjedhjet e gabueshme do të nënkuptonin kthimin e dhunës në Ballkan, dhe në Evropë krijimin e marrëdhënieve të ngjashme me ato të Luftës së Ftohtë. Por, kjo gjithsesi nuk duhet ta ndalë Perëndimin të bëjë gjënë e duhur për Kosovën, konstaton "Uashington Post".