E Diel, 1 Nëntor 2026

Moti i ftohtë, zbrazen shkollat

Autoritetet arsimore të Fierit kanë pranuar zyrtarisht se mungon totalisht sistemi ngrohës në të gjithë sistemin arsimor parauniversitar të rrethit. Ndërsa nxënësit kërkojnë me ngulm ngrohje dhe deklarojnë se po braktisin me ditë të tëra procesin mësimor, prej Drejtorisë Rajonale Arsimore të Fierit deklarohet se edhe vitin e ardhshëm nuk ka projekt për sistem ngrohës, por vetëm për ndërhyrje në infrastrukturën e shkollave.

Të gjitha shkollat në rrethin e Fierit dhe veçanërisht ato në periferi të afërt dhe të largët të tij vuajnë mungesën e sistemit ngrohës. Ndërsa shkollat e sistemit 9-vjeçar dhe të mesëm në qytet, bëhet fjalë këtu për shkollat publike, e kanë siguruar të ngrohtin me anën e një furnele elektrike apo dhe sobe me gaz, në shkollat e fshatit këto pajisje ngrohjeje nuk njihen.

Madje, mungesa e sistemit ngrohës i ka shtyrë që shumë prindër dhe fëmijë të vendosin për mosfrekuentim të shkollës në ditët e ftohta. "Nuk mund ta dërgoj fëmijën në shkollë ndërsa më vjen me buzë të nxira dhe pothuaj pa ndjenja vetëm si shkak i të ftohtit", të thotë Bashkim Banaj një prind i fshatit Lalar të Komunës Portëz në rrethin e Fierit. "Ju besohet apo jo, por që sa hyn dimri e deri sa del fëmija im merr më shumë se 4 kura për ftohje dhe grip", tregon një tjetër prind, Leonora Rama nga Visoka e Fierit. Nxënësit kanë nisur të braktisin shkollën për disa ditë sa të kalojë i ftohti. Edhe institucioni më i lartë arsimor në Fier ka identifikuar vatra ku nxënësit kanë javë që kanë nisur të mos frekuentojnë shkollën. Burimet zyrtare të këtij të fundit thonë se në pothuaj të gjitha shkollat periferike të rrethit numri i nxënësve që nuk e frekuentojnë shkollën vetëm si shkak i të ftohtit është rreth 400 të tillë.

Por, në Drejtorinë Arsimore Rajonale në Fier, specialisti i ndërtimit, Gjergji Tyto, është shprehur se "as në qytet dhe as në fshat nuk flitet për sistem ngrohës. Sipas tij, kjo situatë është në të gjithë rrethin. Nuk flitet fare për sistem ngrohës. Zyrtarisht të pohoj se në asnjë shkollë të rrethit nuk kemi instaluar një sistem të tillë. Nga të dhënat që kemi ne si zyrë projektimi për shkollat e sistemit parauniveristar del se në Fier klasat kanë marrë nga një rezistencë apo sobë me gaz dhe me ato thyejnë të ftohtin e ditëve të fundit", thotë për gazetën Gjergji Tyto, specialist ndërtimi në Drejtorinë Arsimore të Fierit.

Arkitekti Tyto ndërsa shfleton projektet për vitin e ardhshëm që do të aplikohen mbi shkollat publike të rrethit të tregon se edhe vitin e ardhshëm fëmijët mes të ftohtit do të vijojnë procesin mësimor gjatë stinës së dimrit. "Nuk kemi asnjë projekt për sistem ngrohës në shkolla. Të vetmet projektet që kemi ne si drejtori arsimore janë vetëm për infrastrukturën e godinave. 21 shkolla do të përfitojnë nga investimet në vitin 2008, 5 kopshte dhe katër institucione arsimore, shkolla dhe çerdhe do të ndërtohen të reja. Kurse në Bashkinë e Fierit dhe në të gjitha njësitë vendore në të cilat ka pa dyshim shkolla, kopshte e çerdhe, departamentet e arsimit të përcjellin me një deklaratë në të cilën shprehen kërkesat e tyre të vazhdueshme drejtuar qeverisë për fonde dhe ndërhyrje në këtë problem jetik për fëmijët.

Ajo për çfarë ka këmbëngulur deri tani Drejtoria Arsimore e Fierit ka qenë vetëm thithja e shumave të lekëve për projekte në infrastrukturë, ku me të vërtetë dalin edhe vetë zbatuesit dhe krerët e drejtorisë së fituar, ndërsa ngrohjen e cilësojnë si një temë të ndaluar.

Gjirokastër, probleme në qarkullimin e rrugëve në zonat rurale

Elbasan, autobusët nuk bëjnë transportin e mësueseve, dy zona pa mësim

Të paktën dy zona malore në rrethin e Elbasanit dje nuk kanë zhvilluar mësim si çdo ditë. Autobusët që transportojnë mësuesit e shkollave të zonës së Gjinarit dhe Labinotit-Mal, nuk kanë mundur të qarkullojnë në këto akse rrugore rurale për shkak të dëborës dhe ngricës së madhe. Për pasojë, 7 shkolla nëntëvjeçare në të dy zonat kanë zhvilluar mësim vetëm me mësuesit vendas, pasi ata nga qyteti, nuk janë mundësuar të shkojnë. Mësohet se bëhen përpjekje nga ana e Drejtorisë Arsimore për zëvendësimin e përkohshëm të autobusëve me furgonë sa kohë që në këto zona të ketë vështirësi në qarkullim. Jo normalisht kanë vijuar mësimet dje edhe në fshatrat e Komunës Lenije në rrethin e Gramshit, të Steblevës dhe Sopotit në rrethin e Librazhdit dhe të Funarit në rrethin e Elbasanit. Sipas kryeinspektorit Alqi Xhabiri në Drejtorinë Arsimore Rajonale të Elbasanit, orët e humbura për shkak të motit të keq në këto zona, patjetër që do të zëvendësohen më së shumti në semestrin e dytë të këtij viti shkollor. Bora dhe ngricat kanë bllokuar rrugët në katër zona të thella malore në Qarkun e Gjirokastrës. Burime nga banorët e zonave të Kurveleshit në Tepelenë, Ballabanit në Përmet dhe Zagories dhe Pogonit në Gjirokastër, kanë pohuar se intensiteti i reshjeve të shumta të dëborës gjatë dy ditëve të fundit, kanë

shkaktuar probleme në qarkullimin e këmbësorëve dhe mjeteve në këto krahina. Burime nga zyra e emergjencave në Prefekturën e Gjirokastrës, kanë pranuar se ekzistojnë vështirësi në qarkullimin e mjeteve në komunat e Tepelenës dhe Gjirokastrës, por kurrsesi, nuk kanë pranuar të deklarojnë se këto zona janë tërësisht të izoluara nga bora. Situata më shqetësuese paraqitet në Kurvelesh, ku bora e rënë është ngrirë si rrjedhojë e temperaturave të ulëta që kanë shoqëruar 24-orëshin e fundit. Rrugët rurale në këtë zonë janë bërë tërësisht të pakalueshme nga mjetet, pasi masivet e borës kanë ngrirë dhe terreni mjaft i rrëshqitshëm favorizon dukshëm aksidentet që mund të sjellin edhe pasoja në njerëz. Deri më tani nuk njoftohet për aksidente automobilistike në Pogon, Zagorie, Kurvelesh dhe Ballaban. Reshjet e dëborës gjatë fundjavës janë pasuar nga ato të shiut që kanë ngritur deri në dy gradë në Gjirokastër temperaturat e ajrit. Shërbimet meteorologjike në Greqi kanë parashikuar që moti i ftohtë do të jetë sërish prezent në rajonin jugor të Shqipërisë edhe për 48 orët e ardhshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›