Shteti nuk furnizon dot me ushqim
Dëbora dhe ngricat të shoqëruara me temperatura deri në -10 gradë Celsius gjatë ditës kanë filluar të izolojnë një e nga një komunat e fshatrat e thellë malorë të Qarkut të Shkodrës. Banorët japin alarmin se përveç mungesës së mjekëve, problem mbeten dhe rezervat ushqimore që janë mjaft të pakta dhe të siguruara në mënyrë individuale, nga ana tjetër strukturat shtetërore shprehen se nuk kanë asnjë përgjithësi të bëjnë furnizimin me ushqime e se ndërhyrjet do të bëhen vetëm në raste emergjencash të rënda civile. Ndonëse duhen dhe katër ditë për të hyrë në stinën e dimrit dëbora dhe ngricat kanë mbërthyer banorët e fshatrave të thellë malorë të Shkodrës, Pukës dhe Malësisë së Madhe. Aktualisht, situata më problematike paraqitet në aksin e thellë malor Bogë-Qafë Thore - Thellë ku bllokimi i kësaj rruge ka ndërprerë lidhjen mes zonës së Dukagjinit dhe Malësisë së Madhe, tjetër zonë e bllokuar është dhe Vermoshi pas bllokimit të aksit Selcë -Vermosh. Në këto kushte izolimi nga dëbora ku sipas banorëve temperatura ka arritur në -10 gradë Celsius, njerëzit e këtyre zonave presin ndihma nga shteti, pasi nuk kanë as mjek e as rezerva ushqimore, shërbimi i emergjencave civile në Prefekturën e Shkodrës nëpërmjet drejtorit të kësaj qendre, Mensur Bushati, shprehet se "dërgimi i ushqimeve apo hapja e rrugëve rurale do bëhet vetëm me ushtri në rast emergjencash të rënda civile". Për sa u përket rezervave ushqimore, shprehet drejtori i kësaj qendre, u ka kujtuar banorëve të zonës nëpërmjet shkresave që u janë dërguar komunave dhe personave që kanë aktivitet privat ushqimor që të fillojnë të blejnë ushqime për të përballuar vetë izolimin, pasi shteti nuk merr përsipër të bëjë furnizime". Por për banorët e fshatrave të Thellit dhe Qafë-Thores, të cilët janë të izoluar, situata është në fazën e emergjencës civile, pasi nuk ka ilaçe, mungojnë mjekët dhe nuk ka rezerva ushqimore.
Gjon Deda, banor i fshatit Theth, duke folur për gazetën shprehet se "jam i detyruar të kthehem mbrapsht, pasi rruga për në Theth është e bllokuar, më duhet të pres disa ditë në Shkodër me shpresën e përmirësimit të kohës. Kushtet tona janë si në Mesjetë pa mjek, pa drita, pa rezerva ushqimore. Askujt nuk i bie në mend se aty qëndrojnë të izoluar me qindra jetë njerëzish dhe askush nuk merr mundimin as për ushqime e as për mjek. Në këto kushte i bëjmë thirrje strukturave shtetërore të ndërhyjnë në mënyrë urgjente të paktën në dërgimin e një mjeku, pasi njerëzit aty mund të vdesin nga një grip i lehtë. Në Qarkun e Shkodrës, gjatë sezonit dimëror izolohen 12 komuna me rreth 34 mijë banorë.
Të bllokuar nga dëbora është zona e Vermoshit në Malësi të Madhe dhe Qafa e Thores që lidh Dukagjinin me Malësinë e Madhe. Probleme nga ngricat gjatë ditës së djeshme patën të gjitha rrugët nacionale që lidhin Shkodrën me Pukën, Komanin me Dukagjinin dhe Malësinë e Madhe, ku shoferët duhet të përdorin zinxhirët, pasi ngricat mund të provokojnë aksidente të rënda.