Amato: Mitrovica e Veriut, si Trieste
Një nga konstitucionalistët e njohur evropianë, aktualisht ministër i Brendshëm i Italisë, Xhuliano Amato, propozon që çështja e veriut të Kosovës të zgjidhet sipas shembullit të Triestes dhe rrethinave të saj pas Luftës së Dytë Botërore, mes Italisë e Jugosllavisë. Sipas këtij modeli, veriu i Kosovës do të administrohet nga ndërkombëtarët dhe do të ndahet në zona influence: shqiptare dhe serbe, deri në një kohë kur kjo administratë do të shpërbëhet, pra të zgjidhen problemet e pronave. Ish-kryeministri i Italisë dhe kryesuesi i Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin, i cili para tri vitesh në raportin për Kosovën përdori për herë të parë shprehjen "pavarësi e kontrolluar dhe e kushtëzuar", për zgjidhjen e çështjes së Kosovës mendon se Veriu i Kosovës mund të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes së statusit për të gjithë Kosovën. Çështja e Veriut të Kosovës ekziston dhe do të ishte plotësisht kundërproduktive në se fshehim kokën në rërë dhe bëjmë sikur nuk e shohim. Nuk do të ishte asgjë e pazakontë nëse Mitrovicën dhe pjesën e mbetur në Veri të Kosovës do ta vinim në pozicionin që ka qenë Trieste pas Luftës së Dytë Botërore. Në këtë mënyrë do ta shtynim për disa kohë vendimin përfundimtar për Veriun e Kosovës. Besoj se qeveria e Prishtinës nuk do të mund ta refuzonte këtë zgjidhje të përkohshme, ashtu si pas saj nuk do mund të refuzonte vendimin përfundimtar. Nga ana tjetër, Serbia do të kishte të gjitha arsyet për të qenë konstruktive në këtë proces. Ka disa "jastëkë" që duhet të vendosen për të arritur rezultatet e dëshiruara.
A është kjo mënyra për t‘ia lehtësuar Serbisë humbjen e Kosovës, siç thonë në Perëndim?
Nuk flitet për t‘ia bërë të lehtë Serbisë gëlltitjen e pilulës së hidhur të humbjes së Kosovës, por që të pranojë realitetin, se Kosova tashmë ka dalë nga kuadri i Serbisë. Ajo nuk është nën administrimin e saj, nuk është pjesë e sistemit qeveritar dhe nuk është pjesë e asnjë bilanci vjetor të Serbisë prej vitesh.
Kosova ka mbetur vetëm pjesë e nostalgjisë së të ashtuquajturës "Serbi e Madhe", që nuk është më. Serbia e re nuk ka më nevojë për këtë nostalgji, por për të ardhmen. Serbia është në pozicion të tillë që mund të zhvillohet mjaft shpejt, më shpejt se të gjithë në rajon dhe të bëhet shtet që luan rol kryesor në rajon. Kështu, që Beogradi mund të ndikojë edhe në Kosovë.
Ndërkohë, Serbisë i duhen garanci të forta, se serbët që jetojnë në Kosovë, si dhe trashëgimia kulturore e fetare e popullit serb duhet të jetë e mbrojtur maksimalisht.
Në Serbi nuk miratohen "lëshime" dhe ndarje të tilla...
Kam lexuar deklaratën e fundit të K. Rajs, në të cilën ajo thotë se pavarësia e Kosovës njëkohësisht do të thotë se të dyja shtetet duhet të kenë lidhje speciale për shkak të shkaqeve historike, ekonomike e gjeografike.
Sipas meje, lidhje e veçantë për Serbinë e Kosovën duhet të jetë qëllimi i përbashkët: hyrja në BE. Tani është e rëndësishme që gjithçka të ndodhë në mënyrë të drejtuar e të saktë, të krijohen kushtet që Serbia ta pranojë pavarësinë e kontrolluar si zgjidhjen e vetme për problemin e Kosovës, ndërsa zgjidhjet e tjera nuk janë të realizueshme.
Në Serbi janë shpallur zgjedhjet presidenciale për në janar. A do ta shtyjë kjo vendimin për Kosovën në Bruksel e Uashington?
Mendoj se po. Është e logjikshme të pritet që zgjedhjet presidenciale të përfundojnë në Serbi, duke llogaritur faktin se presidenti i ardhshëm do të ketë guximin të marrë përgjegjësi dhe ta çojë Serbinë drejt së ardhmes.