E Diel, 1 Nëntor 2026

Karamanlis: Greqia nuk do të vendosë veton në BE për Kosovën

Diplomacia greke e konsideron "gabim dhe joproduktive çdo lidhje të perspektivës evropiane të Serbisë me Kosovën". Me anë të një deklarate, shefja e diplomacisë greke, Dora Bakojani, shprehet për respektimin e procedurës deri në përftimin nga ana e saj të statusit të vendit kandidat për integrim. Ndërkohë, pozicionimi i Greqisë ndaj shpalljes së pritshme të pavarësisë së Kosovës u bë më se i qartë nga vetë Kryeministri Karamanlis, se kurrsesi nuk do të jetë ai i diferencimit nga partnerët e tjerë evropianë dhe aq më shumë i vetos, siç do të dëshironin në radhë të parë Rusia, por edhe Qiproja. "Greqia, siç ka bërë deri më sot, do të jetë veçanërisht e kujdesshme. Kriteri ynë është siguria dhe stabiliteti i rajonit më të gjerë, interesat e vendit dhe ruajtja e unitetit në Bashkimin Evropian, bile për një çështje absolutisht evropiane", tha Karamanlis, i cili nuk e fshehu as parapëlqimin e Athinës për një "zgjidhje konsensusi", qoftë edhe momentin e fundit, as vendimin e saj për të mos u bashkërenduar me qëndrimin e Qipros, që gjithsesi kërcënon me veto. Karamanlis do të vizitojë sot Moskën, ku do të synojë të sigurojë mirëkuptimin rus për bashkërendimin e Athinës me kancelaritë perëndimore për pavarësinë e Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›