E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëbora arrin 50 cm, bllokohet zona e thellë e Dardhës

Reshjet e dëborës që kanë rënë gjatë natës dhe kanë prekur juglindjen e vendit kanë çuar në bllokimin e përkohshëm të disa segmenteve rrugore, ndërsa për shkak të shtresave të dëborës dhe ngricës është vështirësuar qarkullimi i mjeteve. Burimet zyrtare nga shtabi i emergjencave civile kanë bërë të ditur se në mëngjes është bllokuar rruga që të çon drejt fshatit turistik të Dardhës. Dy mjete borëpastruese kanë punuar në aksin Boboshticë Dardhë për të hapur edhe rrugën e mbuluar nga dëbora që ka sjellë gjatë natës edhe izolimin. Nga të dhënat e shtabit të emergjencave civile mësohet se e pakalueshme ka qenë rruga drejt Dardhës ku në disa pjesë të segmentit rrugor, dëbora ka shkuar për shkak edhe të erës në 50 cm trashësi. Zona ka mbetur gjatë natës e izoluar për shkak të mungesës së qarkullimit dhe të transportit. Nga ana tjetër, problemet janë shtuar në qafat e zonës juglindore kur reshjet që janë shoqëruar edhe me erëra të forta kanë vështirësuar së tepërmi lëvizjen e mjeteve. Në akset nacionale që lidhin Korçën me Ersekën, Pogradecin dhe Kapshticën mjetet kanë mundur të lëvizin vetëm me zinxhirë deri në mesditë. Në të gjitha këto akse që në orët e mëngjesit është kryer kriposja, por për disa orë deri në shkrirjen e ngricës së krijuar në asfalt ka qenë e vështirë lëvizja në këto segmente rrugore. Zona e Goricës ka qenë një tjetër vend i izoluar nga reshjet e dëborës, ndërsa mjete të tonazhit të rëndë kanë qëndruar për disa orë në vend nga pamundësia për të ikur më tej drejt zonës kufitare me Maqedoninë. E pakalueshme ka qenë rruga Liqenas Goricë ashtu si dhe aksi Boboshticë-Dardhë. Sipas përgjegjësit të zyrës së emergjencave civile, Dhori Cekrezi, reshjet e natës dhe ngricat kanë shkaktuar shumë problem dhe vështirësi në autostradën Korçë-Kapshticë, dhe në të gjitha qafat e Qarkut të Korçës. Vithkuqi, Dardha dhe Voskopoja, si dhe zona e Kolonjës për shkak të lartësisë mbi nivelin e detit janë prekur nga reshje të shumta të cilat kanë shkuar në 10-15 centimetra trashësi, ndërsa në zonat fushore ndryshe nga ato të thella malore, trashësia e dëborës nuk i ka kaluar pesë centimetra. Sipas Dhori Cekrezit, në mëngjes në aksin që të çon drejt Dardhës në një pjesë të këtij segmenti ka pasur dëborë të grumbulluar deri në 50 cm trashësi. Sipas tij, në të gjitha pikat dhe akset janë lënë në gatishmëri edhe gjatë natës borëpastruese ndërsa është kryer edhe kriposja, por për shkak të erës në zonat malore ka pasur edhe bllokime të tilla të akseve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›