Finalizohet Kushtetuta e Kosovës: shtet sovran e i pavarur
Kushtetuta e Kosovës është finalizuar. Ajo e parasheh Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. Në këtë Kushtetutë nuk ka asnjë nen të pazgjidhur, ngaqë gjithçka është e sqaruar, ka thënë bashkëhartuesi i Kushtetutës, Arsim Bajrami. Kjo Kushtetutë për nga karakteri është konstituive, ndërsa forma e qeverisjes së shtetit do të jetë republikë parlamentare, duke avancuar rolin e Presidentit. Me Kushtetutën e Kosovës do të themelohen institucionet e reja, të cilat deri tash i kanë munguar Kosovës, siç janë: Gjykata Kushtetuese, Shërbimi i Inteligjencës dhe një varg institucionesh të tjera. Ushtria e ardhshme e Kosovës do të quhet Forca e Sigurisë së Kosovës, por më vonë do t‘i nënshtrohet një tranzicioni, që do të shndërrohet në ushtri.
Ndërsa çështja e simboleve nga institucionet e Kosovës është duke u zvarritur dhe si justifikim përmendet mosdefinimi i statusit. Komisioni për simbolet kohë më parë ka përzgjedhur mbi 3 mijë propozime për stemën dhe flamurin shtetëror të Kosovës në bazë të kritereve të kërkuara me konkurs. Por, komisioni ende nuk ka bërë përzgjedhjen e 3 propozimeve për flamur, si dhe tri propozimeve për stemë, të cilat do t‘i dërgoheshin Kuvendit të Kosovës për miratim.