E Diel, 1 Nëntor 2026

Nën hetim punonjësit e komunës, falsifikuan aktet e pronësisë

Dy punonjës të një komune në Rrethin e Beratit janë nën hetim, pasi akuzohen se kanë falsifikuar aktet e pronësisë së një prone me qëllim përfitimin e saj nga ana e një qytetari në mënyrë të paligjshme. Burime të Komisariatit të Policisë në Berat bëjnë me dije se ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për Muhamet Zogaj, 49 vjeç, punonjës agronom, Xhemil Myftari, 56 vjeç, punonjës topograf. Këta persona, punonjës në Komunën Sinjë të Rrethit të Beratit mësohet se janë marrë në pyetje rreth një prone që është përfituar pa të drejtë nga një qytetar për të cilën mësohet se kanë nisur hetimet pak ditë më parë. Në kundërshtim me aktet ligjore në cilësinë e agronomit dhe topografit të komunës, ata kanë plotësuar një tapi toke me një sipërfaqe prej 2.3 dynym. Sipërfaqja e tokës që ndodhej në fshatin Molisht të Komunës Sinjë, ishte në proces të plotësimit të aktit të tapisë, pasi për pronësinë e saj kanë qenë dy pretendentë. Pasi ka nisur procedimi për pronësinë e pronës, dy punonjësit e komunës mësohet që të kenë falsifikuar dokumentet e saj, duke e plotësuar aktin e dhënies së pronës personit jo të duhur. Të drejtën mbi pronën mësohet që ta ketë fituar një qytetar nga Berati, ndërkohë që denoncimi nga pronari legjitim i tij ka bërë që policia të nisë hetimet rreth kësaj çështjeje. Sipas policisë, dy punonjësit e komunës janë tashmë nën hetim për veprën penale të "shpërdorimit të detyrës", akuzë për të cilën do të hetohen në gjendje të lirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›