Pretendonte pronën, nxjerr me forcë fëmijët nga kopshti
Një 48-vjeçar, atë që nuk kishte arritur dot ta bënte nëpërmjet anës ligjore, kishte vendosur që ta bënte me forcë. Duke pretenduar për pronësinë e disa dhomave të një kopshti fëmijësh në Krujë, Dashnor Kallçishta, nuk ka nguruar që të nxjerrë përjashta fëmijët e vegjël, duke ushtruar dhe presion ndaj tyre. E ndërsa edukatoret janë tmerruar nga ajo që po ndodhte, kanë lajmëruar policinë lokale, e cila ka prangosur menjëherë agresorin. Në mes të ditës, 48-vjeçari ka shqyer derën e një kopshti fëmijësh në qytetin e Krujës dhe ka nxjerrë jashtë ambienteve karriget dhe tavolinat. Agresiviteti është kryer në emër të pronës. Ndonëse i ardhur në Krujë, e drejta e pronës e ka pushtuar të tërin, duke e kthyer në një njeri agresiv. Burime nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës bënë të ditur se rreth orës 17:00 është arrestuar shtetasi Dashnor Kallçishta, lindur në Rrethin e Dibrës dhe banues në Krujë, i vitlindjes 1960. Ky shtetas dyshohet që të jetë dhunuesi i kopshtit në lagjen "Gërguqe" të Krujës dhe për të ka nisur procedimi penal nën akuzën e shkatërrimit të pronës. Duke pretenduar se ambienti i kopshtit i përkiste atij, agresori ka hyrë me forcë brenda dhe ka nxjerrë jashtë pajisjet, duke i dëmtuar. Shtëpia e të arrestuarit është ngjitur me kopshtin dhe ai zotëron dy dhoma në të. Pretendimi mbi kopshtin synon zgjerimin e banesës së vet, në dëm të objektit që shërben për edukimin e parashkollorëve në këtë lagje të Krujës. Hetimet i kanë kaluar prokurorisë dhe së shpejti pritet që çështja të mbërrijë në gjykatë.
Edhe gjatë marrjes në pyetje nga agjentët e policisë kriminale Kallçishta ka pretenduar se i kishte nxjerrë fëmijët dhe sendet që ishin brenda në kopsht, pasi donte që të bënte një shtesë në shtëpinë e vet.
Por këtë herë inati për pronën është shfryrë në kopshtin e fëmijëve. Dy rastet më të fundit të regjistruara para pak ditësh në Malësi të Madhe dhe në Dibër janë shoqëruar me viktima, autorët e të cilëve nuk janë menduar dy herë për të kryer aktin barbar.