E Diel, 1 Nëntor 2026

Skuadra e vrasjeve, pranga Luftar Reçit

Skuadra e vrasjeve rikthehet me një tjetër arrestim të shumëkërkuarish. Këtë radhë uniformat blu kanë vënë në pranga ish-biznesmenin Luftar Reçi, i cili ishte shpallur në kërkim që prej vitit 2005. I dyshuar për disa ngjarje kriminale dhe i akuzuar për vrasjes e Maks Lalës, ai kishte mundur t‘i shpëtonte prangosjes së policisë prej disa vitesh. Por, arratisja e tij ka marrë fund dje, kur një grup hetimor e ka gjetur të fshehur në fshatin Allias të Tiranës, ku edhe është arrestuar. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se struktura e posaçme e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit kanë intensifikuar punën në këtë drejtim, duke zbardhur kryesisht ngjarjet e mbartura nga vitet e mëparshme, dhe dokumentuar një vrasje e ndodhur në vitin 2005. I arrestuari është vëllai i ish-biznesmenit Agim Reçi. Ky i fundit u ekzekutua në mënyrë mafioze rreth një vit më parë.

Dje, rreth orës 13:30, specialistët e këtij seksioni, që njihet ndryshe si skuadra e vrasjeve, në bashkëpunim edhe me shërbimet e Komisariatit Nr. 4, mundësuan kapjen e shtetasit në kërkim ndërkombëtar, Luftar Suleman Reçi, 38 vjeç. Sipas të dhënave nga policia, ky person është i akuzuar për vrasjen e shtetasit Maksim Lala, ngjarje e ndodhur më datë 12 maj të vitit 2005. "38-vjeçari Reçi ishte person në kërkim, pasi ndaj tij Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka vendosur masën e sigurisë ‘arrest në burg‘, për konsumim të veprave penale të ‘vrasjes me paramendim‘, e kryer në bashkëpunim me grup të strukturuar kriminal, si dhe të ‘trafikimit të lëndëve narkotike‘", detajoi policia e kryeqytetit. Më tej, grupi hetimor nga skuadra e vrasjeve shpjegoi se Luftar Reçi dhe Taulant Elezi, i cili është nipi i tij dhe ndodhet i arrestuar që në vitin 2007, akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në aksin rrugor të autostradës Milot-Burrel, në afërsi të Ulzës, kanë vrarë me armë zjarri në pjesën e pasme të kokës Maksim Aleks Lalën. Më tej, policia shtoi se të akuzuarit, pas kryerjes së këtij krimi të rëndë, kanë djegur trupin e viktimës me napalm, duke e hedhur në vendin e quajtur "Ura e kallamishtesh" në Burrel.

Në lidhje me operacionin e djeshëm, uniformat blu shpjeguan se i kërkuari u kap në një banesë të marrë me qira prej tij, në afërsi të ish-serave në Allias. Ndërkohë, vazhdon puna hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, për dokumentimin e një sërë veprash penale të kryera prej tij, në qytetin e Burrelit dhe të Dibrës. Sipas dosjes hetimore të vrasjes së Lalës, mëngjesin e datës 8 maj 2005, rreth orës 03:30, peshkatarët e zonave që gjuajnë rreth liqenit të Ulzës, pak kilometra larg Burrelit, dalluan flakët e një zjarri. Në kthesë, ku rruga ndahet me një degëzim nga ajo kryesorja, segment ky që të shpie në Ulzë, te vendi i quajtur sektori C, pranë një lokali të thjeshtë bri rruge, vend ku dhe tregtohet peshk, një makinë luksi, tip "Opel", po digjej. Katër ditë më vonë, në mbrëmje, një tjetër peshkatar njofton në polici për ekzistencën e një objekti të dyshimtë, vetëm 100 metra larg vendit ku ishte gjetur makina e djegur.

Rreth orës 20:30 të datës 12 maj, policë e peshkatarë të afruar në bregun e liqenit me varkë zbuluan trupin e një të riu, rrobat e të cilit ishin të djegura plotësisht. Nata nuk e ka lejuar ekspertimin e plotë të vendit të ngjarjes dhe e gjitha ka përfunduar në orët e paradites të një dite më vonë, ku u konkludua se kufoma i përkiste 31-vjeçarit Maks Lala. Por, dy vite më vonë, teksa policia punonte për dokumentimin e vrasjeve të vjetra, skuadra e vrasjeve ka marrë në dorë këtë dosje. Gjatë hetimit ka zbuluar se Taulant Elezi, 21 vjeç, kishte njohje me Lalën. Në atë kohë, Elezi ishte arrestuar për vrasjen e taksistit Veli Mema, ngjarje e ndodhur më 10 korrik të vitit 2006, ndërkohë që policia filloi ta hetojë edhe për vrasje të tjera. Në vendin e ngjarjes, policia kishte gjetur një makinë të djegur plotësisht, të cilës i kishte mbetur vetëm numri i shasisë, që nuk ishte regjistruar në Shqipëri. Gjithashtu ishin gjetur bidonë, brenda të cilëve ishte hedhur lënda djegëse, katër kallashnikovë dhe shumë fishekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›