Kërpi mposht policinë, fermerët marrin dëmshpërblimin
Fermerët e Shkrelit, të arrestuar në vitin 2001 për mbjellje kanabisi, pas 30 ditësh arrestimi u shpallën të pafajshëm, pasi bima rezultoi kërp. Ata janë të vendosur të kërkojnë "nderin e humbur" në Gjykatën e Strasburgut për dëmshpërblim moral.
Fermerët e Shkrelit në Malësinë e Madhe, të cilëve në verën e vitit 2001 Policia e Shtetit u asgjësoi kërpin industrial të mbjellë në parcelat e tyre, duke e pandehur për kanabis sativa, kanë fituar me vendim të formës së prerë dëmshpërblimin material prej 11781500 lekësh. Pas rreth 7 vitesh zvarritjesh nëpër gjykata në Shkodër e në Tiranë, nëntë banorët e Shkrelit kanë fituar të drejtën e tyre. Ka qenë Gjykata e Apelit në Tiranë e cila ka marrë vendimin e formës së prerë në favor të 9 fermerëve të Shkrelit, të cilëve iu asgjësua bima kërp industrial e mbjellë në vitin 2001 në sajë të bashkëpunimit të shoqatës së fermerëve të Shkrelit me fondacionin anglez "Partneritet për Zhvillim", i cili kishte sjellë farën dhe do blinte dhe prodhimin. Katër prej këtyre fermerëve u arrestuan nga policia me akuzën e kultivimit të bimës narkotike dhe qëndruan për 30 ditë në burg, ndërsa 5 të tjerë u shpallën në kërkim. Të gjithë këta ishin pronarë të parcelave të mbjella me kërp industrial, e cila ishte mbjellë me lejen e autoriteteve. Shkaku i konfliktit mes fermerëve të Shkrelit, shoqatës angleze nga njëra anë dhe Ministrisë së Rendit nga ana tjetër, është mbjellja e kërpit industrial. Kjo bimë konsiderohet nga anglezët si bimë industriale për të prodhuar disa produkte, ndërsa për Ministrinë e Rendit është kanabis sativa. Ngjashmëria mes tyre është shumë e madhe, si në pamje të jashtme, ashtu dhe në përqindjen e THC që përcakton kufirin për drogë. Fermerët e Shkrelit, pasi kanë fituar dëmin material, janë në kërkim të dëmit moral dhe fermerët, së bashku me shoqatën angleze, kanë kërkuar 11 milionë lekë të reja si dëm moral, por këtë kërkesë gjykatat shqiptare ia kanë mohuar, ndaj ata tani do i drejtohen Strasburgut në kërkim të nderit të humbur.
Operacioni "Antidrogë" i policisë së Malësisë së Madhe dhe asaj të Shkodrës u zhvillua nga data 11 deri në 18 korrik 2001. Ministria e Rendit deklaroi me bujë pas operacionit se për herë të parë policia shqiptare kishte asgjësuar një sasi kaq të madhe bimësh narkotike prej 524900 rrënjësh. Lajmi u emetua dhe nga disa agjenci lajmesh të huaja mjaft prestigjioze, si një nga operacionet më të suksesshme që ishte ndërmarrë ndonjëherë nga policia kundër kultivuesve të bimës narkotike kanabis sativa. Por më pas doli se ishin shkatërruar gabimisht dhe në mënyrë të paligjshme sipërfaqe të tëra të mbjella me kërp industrial dhe ishin mbajtur padrejtësisht për afro një muaj katër fermerë të Shkrelit, ndërkohë që kishte shpallur në kërkim kryetari i kësaj komune, Martin Pëllumbi. Maratona e gjatë e proceseve mes fermerëve të Shkrelit dhe përfaqësuesve ligjorë të Ministrisë së Rendit ka përfunduar tashmë me dëmshpërblimin material. Ata presin të marrin dhe dëmshpërblimin moral, pasi u akuzuan si kultivues të bimëve narkotike.