E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbretërit e parave e ryshfeteve

E vendosur që të heqë nga vetja njollën e imazhit të lavatriçes botërore të parave të pista, Zvicra pretendon se është kthyer së fundi në një lloj Kryqi të Kuq ndërkombëtar në luftën kundër korrupsionit. Është i vetmi shtet, që jo vetëm heton në kundërshtim me përfitimin personal, por ka nisur që të sekuestrojë përfitimet e jashtëligjshme, të grumbulluara nga politikanët e huaj, për t‘ua kthyer ato popullsive të dëmtuara. Të dhënat e mbledhura në zyrat gjyqësore të Bernës, Zyrihut dhe Gjenevës janë interesante: Konfederata ka konfiskuar, duke ua rikthyer vendeve të dëmtuara një shumë parash prej 1700 milionë dollarësh. 1100 të tjera ndodhen aktualisht të sekuestruara në Zvicër, që prej dhjetë vitesh, në pritje të mbylljes së dhjetëra proceseve gjyqësore jashtë Zvicrës, procese që kanë të bëjnë me afera të rëndësishme korrupsioni, ndër më të mëdhatë e historisë moderne. Despotët dhe diktatorët e shekullit XX, veç vrasjeve e shkatërrimit të jetëve të miliona vetave, kryesisht bashkatdhetarëve të tyre, kanë grumbulluar e futur në llogaritë e tyre shuma të jashtëzakonshme parash. Bëhet fjalë për raste të diktatorëve të vdekur, por edhe të politikanëve aktivë. I tillë është rasti i sekuestrimit të 11 milionë dollarëve që i janë sekuestruar në llogaritë bankare të Zvicrës Benazir Bhutos, ish-kryeministres së vrarë të Pakistanit, e cila humbi jetën 27 dhjetorin e kaluar në një atentat politik. Llogaria ishte në emrin e Bhutos dhe bashkëshortit të saj, Asif Ali Zardari, që sot vazhdon të dominojë partinë kryesore të opozitës, partinë, e cila, sipas gjasave, pritet që të marrë pushtetin pas zgjedhjeve të këtij muaji, e cila do të sfidojë partinë e Presidentit aktual, Musharaf. Autoritetet zvicerane paralajmërojnë se shifra totale prej 2800 milionë dollarësh është tepër e vogël në krahasim me shifrat reale të konfiskimeve e sekuestrimeve. Shifra e mësipërme ka parasysh vetëm rastet kryesore të llogarive, pa përfshirë aty hetimet, të cilat konsiderohen si sekrete të paktën nga ana e shtetit zviceran. Këto hetime kanë brenda raste që fillojnë që me ryshfetet e "Siemens"-it, deri te çështja e madhe Total/Iran, që ka si të pandehur të mundshëm edhe ish-kryeministrin e vendit islamik, Rafsanjani. Të dhënat e mësipërme kanë të bëjnë vetëm me personat e ekspozuar politikisht dhe jo me ryshfete burokratike të personave të tjerë. Pas një pune disavjeçare nëpër hipotekat dhe bankat e vendeve të ndryshme, shifra e mësipërme ofron bilancin e parë objektiv të një korrupsioni botëror të përmasave të jashtëzakonshme, i cili u certifikua nga gjykatësit e një shteti të pavarur si Zvicra, që shkon paralelisht me traditën kulturore, njerëzore e paqësore të Zvicrës. "Ekziston një raport i drejtpërdrejtë mes demokracisë, ekuilibrit të pushteteve, drejtësisë dhe paqes", deklaron Paul Seger, përgjegjësi i Drejtorisë së të Drejtës Ndërkombëtare në Ministrinë e Jashtme, e cila merret me rikthimin pasurive të konfiskuara. "Përvoja jonë konfirmon se diktatorët janë përfituesit kryesorë dhe të dorës së parë të korrupsioneve më të rënda. Regjimet e tyre janë shpesh përgjegjësit kryesorë të luftërave dhe të krizave e represioneve të brendshme", thotë Seger. Një tjetër armik i luftës kundër korrupsionit është nacionalizmi. Ndërkohë, "palmën e zezë" të qeveritarit më grykës në botë, sipas hetimeve të deritanishme, e meriton plotësisht diktatori nigerian, Sani Abacha, një gjeneral që erdhi në pushtet përmes një grushti shteti në vitin 1993 dhe që ndërroi jetë pas një infarkti shumë misterioz në vitin 1998. Gjatë 5 viteve që qëndroi në krye të vendit, tirani afrikan arriti të grumbullonte dhe të depozitonte në bankat zvicerane plot 700 milionë dollarë. Ai nuk kishte nevojë që t‘u kërkonte ryshfete shumëkombësheve të naftës, që operonin në vendin e tij, pasi ishin ato vetë që ia servirnin të parat. Pas vdekjes së tij, Nigeria denoncoi zhdukjen e rreth 2 miliardë dollarëve. Thirrjes së Nigerisë iu përgjigj vetëm Zvicra, e cila sekuestroi një sasi të madhe dollarësh të depozituara në emër të diktatorit në një bankë të Gjenevës, pasi provoi origjinën e tyre kriminale. Kështu, 700 milionë dollarët iu rikthyen Nigerisë, pas një procesi të gjatë gjyqësor në vitin 2005. Pas nigerianit vjen me një shifër diçka më të vogël ish-presidenti, zot i Filipineve, Ferdinando Markos. Ai kishte plot 684 milionë dollarë. Paratë e sekuestruara nga gjykatësit e Zyrihut në vitin 1986, pas ikjes së tij jashtë vendit, u mbrojtën përmes proceseve të stërzgjatura gjyqësore nga gruaja e Markosit, Imelda, dhe njerëzit e familjes së saj. Ishte rasti i parë që një procedurë për lirimin e parave të bllokuara zgjati plot 20 vjet. Prej shumës së mësipërme të parave familjarët mundën të shpëtonin vetëm një pjesë, ndërkohë që 486 milionë dollarët e mbetur iu rikthyen qeverisë së Filipineve në vitin 2003. Në vitin 1990, Zvicra miratoi ligjin e parë kundër riciklimit të parave të pista, i cili u mor me ngrirjen e të gjitha llogarive anonime. Që nga ajo kohë bankat zvicerane duhet të identifikojnë dërguesit e parave dhe përfituesit e tyre. Rezultati i kësaj manovre: mafiozët, të korruptuarit dhe diktatorët e politikanët po i shmangen Zvicrës gjithnjë e më tepër, duke preferuar dërgimin e parave të tyre në "parajsa" të tjera fiskale. Megjithatë, Federata Zvicerane vazhdon që të administrojë një të tretën e pasurive familjare të huaja. Sipas specialistëve të ligjit të mësipërm, devijimi individual është i pashmangshëm, por nëse një bankë zvicerane do të përballej me një skandal, dëmi i imazhit dhe reputacioni i saj do të ishte aq i madh, saqë paratë që do të fitonte nuk do të kishin vlerë. Një rast interesant është ai i Vladimir Montesinos, shefi i Shërbimeve Sekrete Peruan, nën qeverinë e ish-presidentit të vendit, Fuxhimori. Duke filluar nga viti 2002, gjykatësit e Zyrihut i sekuestruan 92 milionë dollarë, të gjitha të fituara nga ryshfetet e marra në blerjet e avionëve ushtarakë. Korrupsioni i ish-shefit nuk u zbulua në Peru. Hetimi për paratë nisi nga një bankë zvicerane, pasi mori një sinjalizim për parregullsinë e llogarisë së majme. 77 milionë dollarët e parë iu rikthyen popullit peruan në vitin 2006. 15 milionë të tjerat janë të bllokuara në pritje të gjykimit të Montesinos për krime kundër njerëzimit. Diplomacisë zvicerane iu desh të improvizonte zgjidhje të reja për një tjetër problem themelor: mënyrën e kthimit të parave popullit, në rastin kur personi i korruptuar ishte ende në pushtet. Kjo ishte një dilemë e madhe. Nga njëra anë ishte detyrimi moral dhe ligjor për kthimin e parave, nga ana tjetër duheshin garanci që ato para nuk do të përfundonin sërish në xhepat e diktatorëve, apo politikanëve të korruptuar dhe se do të shkonin të gjithë në përfitimin e qytetarëve. Gjithashtu nuk mund të ndërhyje dot as në ligjet dhe sovranitetin e vendeve të caktuara për të mos u përballur më pas me akuzat e neokolonializmit. Marrim rastin e një lideri të superkorruptuar, Presidentit autokratik të Kazakistanit, Nursultan Nazarbaev. Një prokuror i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (vendi i parë dhe për shumë vite i vetmi në të cilin korrupsioni i politikanëve të huaj konsiderohet një krim), zbuloi se një ndërmjetës amerikan i derdhte paratë e korruptuara të Presidentit në një llogari bankare në Zvicër në këmbim të pasurive të mëdha dhe sasive të jashtëzakonshme të naftës. Brenda pak ditësh nga marrja e informacionit, gjykatësit e Gjenevës i sekuestruan Presidentit 144 milionë dollarë. 60 milionë ndodhen ende në Zvicër, ndërkohë që pjesa tjetër u konfiskua dhe në këtë rast nuk iu kthye vendit të origjinës, Kazakistanit, ku Presidenti i korruptuar vazhdon të qeverisë me dorë të hekurt, por u kalua në llogarinë e një fondacioni të pavarur, i drejtuar nga përfaqësues zviceranë, amerikanë e sigurisht kazakistanas. Ky fondacion i përdor paratë për të ndihmuar fëmijët e varfër e në nevojë. I njëjti problem mund të dalë edhe pas zgjedhjeve të ardhshme në Pakistan, nëse në fuqi do të rikthehet partia e dominuar nga Zardari, vejani i ish-kryeministres së vrarë Bhuto. E mbështetur nga i gjithë Perëndimi, ish-kryeministrja u kthye në atdhe pas një mërgimi të gjatë si simbol i demokracisë dhe i mirëqeverisjes. E, megjithatë, Zvicra e kishte dënuar që në vitin 2003, së bashku me të shoqin, për përfitimin e padrejtë të 11 milionë dollarëve. Janarin që shkoi Zardari, pasi refuzoi nofkën që i ishte vënë në popull "Zoti 10%", për shkak të përqindjeve që merrte nga personat të cilëve e shoqja kur ishte Kryeministre u mbaronte punë, deklaroi se ishte viktimë e një persekutimi politik dhe se nuk ishte aspak e vërtetë që paratë e konfiskuara ishin fryt i ryshfeteve. "Kam bërë 12 vjet burg dhe asgjë nuk është provuar kundër meje. Të gjitha akuzat janë të rreme", ka këmbëngulur vejani. Ndërkohë, vendimi i gjykatësve zviceranë shprehte qartë se ishte provuar plotësisht fajësia e bashkëshortëve pakistanezë dhe se paratë ishin marrë si ryshfet nga një shoqëri zvicerane, e cila ishte përzgjedhur nga ish- kryeministrja, gjatë periudhës së saj të qeverisjes, për t‘u marrë me doganat e Pakistanit. Por kjo është vetëm një nga aferat më të vogla të ish-kryeministres dhe burrit të saj, i cili njihej gjerësisht si "Kryeministri në hije" i vendit. Pas vrasjes së të shoqes, Zardari ka tentuar në fshehtësi që të pengojë drejtësinë zvicerane, por në 18 janar, Gjykata e Gjenevës vendosi që vrasja brutale e Bhutos nuk do të ketë asnjë lloj ndikimi.

Aktualisht Zardari është sërish nën hetim për "pastrim parash" dhe ryshfete. Çifti në fjalë u dënua edhe në vitin 2003 për "pastrim parash". Ky vendim shënon edhe një hap tjetër të drejtësisë zvicerane. Në të shkuarën për të ndaluar hetimet e gjykatësve zviceranë dhe për të ripasur paratë duhej që subjekti t‘i shpëtonte dënimit në vendin e tij.

Ndërkohë Zvicra pretendon që të ngrijë dhe më pas të rikthejë në atdhe edhe paratë e diktatorëve të tjerë të tillë si Mobutu të Kongos dhe Duvalier të Haitit, por kjo do të realizohej pas procesesh të gjatë gjyqësor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›