E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendja civile nuk furnizohet me certifikata

Pa asnjë njoftim paraprak apo parapërgatitje të qytetarëve për një mungesë të gjatë të certifikatave në Gjendjen Civile të Vlorës, ka dalë një shënim ku i lajmëron ata se puna e këtyre zyrave do të jetë e pezulluar me afat të pacaktuar. Shkak i këtij pezullimi është mungesa e furnizimit me certifikata nga Ministria e Brendshme në zyrat e gjendjes civile të Bashkisë së Vlorës. Dje qytetarët janë gjendur përpara dritareve të mbyllura dhe pamundësisë për t‘u pajisur me certifikatë. Disa prej tyre janë shprehur se është një problem serioz mungesa e certifikatave, pasi i bllokon ata në përfundimin e punëve të tyre. Një qytetar i cili jeton në Greqi, thotë se "ka ardhur për të bërë pasaportat e fëmijëve, dhe pa certifikata kjo gjë është e pamundur".

Momentalisht në bashki thuhet se mungesa e tyre ka ardhur si pasojë e mosardhjes së formularëve nga Ministria e Brendshme, duke mos dhënë afat se kur mund të pajiset gjendja civile e qytetit të Vlorës me certifikata. Ndërkohë burime brenda këtij institucioni deklarojnë se do të duhen të paktën dhjetë ditë që zyra të pajiset me furnizimin e nevojshëm dhe të rifillojë punën normalisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›