E Diel, 1 Nëntor 2026

Aktivizohet pusi i taposur, nafta derdhet në lumë

Një pus nafte i fondit të ndalur është aktivizuar papritur duke e shpërndarë naftën në mjedis. Rrëshqitja e tokës përqark ka bërë që të rrëzohet në lumë bazamenti i betontë i pusit dhe të hapet gryka e taposur disa vite më parë. Specialistët e naftës të sektorit Nr. 4, të Ndërmarrjes së Prodhimit Patos, nuk kanë ditur për prodhimin natyral që kishte nisur prej ditësh nga ky pus. Ata thanë se vatra të tilla të puseve të fondeve të ndalur në këtë zonë shpesh kanë dhënë surpriza, duke gjeneruar naftë. Krahas lajmit të mirë për nisjen e prodhimit të këtij pusi, ajo që shqetëson të gjithë është impakti në mjedis që shkakton derdhja e naftës bruto në lumin Gjanica dhe në zonën përreth. Pusi në fjalë është nën administrimin e grupit 8 të sektorit Nr. 4, në Ndërmarrjen e Prodhimit të Naftës Patos. Ai ndodhet në afërsi të vendit të quajtur Ofiçinë e Vjetër, përgjatë rrjedhës së lumit Gjanicë. I skeduar si pus i fondit të ndalur shumë vite më parë, është braktisur edhe nga brigadat e naftëtarëve që punojnë pranë këtij sektori. Një sipërfaqe prej 2 dynym tokë është mbuluar nga nafta bruto, ndërsa niveli i ndotjes së ujit është i një shkalle shumë të lartë. Specialistët deklarojnë se pusi është shpuar në vitet ‘60. Ka punuar për më shumë se 20 vite dhe pas viteve ‘80 ai është mbyllur. Prej tij është larguar kulla e lartë dhe në vitin 1998 është bërë taposja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›