Gjykata vendos për videokonferencën me Kadi
Sheiku saudit, Yassin Kadi, një nga emrat më të përfolur për lidhje me terrorizmin apo biznese që kanë financuar terroristët, do të jetë i pranishëm në Shqipëri nëpërmjet një videokonference. Ai do të dëshmojë në procesin ndaj Hamzeh Abu Rayyan, administratorit të pronave të tij në vendin tonë, i cili është akuzuar për "Fshehje të fondeve dhe pasurive të tjera ndaj të cilave zbatohen masat kundër financimit të terrorizmit", vepër penale e parashikuar nga neni 230/b/1 i Kodit Penal. Vendimi lidhur me dëshminë e Yassin Kadi është dhënë dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda në kryeqytet. Gjatë seancës së radhës në procesin kundër Abu Rayyan, trupi gjykues i kryesuar nga Sandër Simoni është shprehur për kërkesat që ka bërë mbrojtja lidhur me dëshmitarët dhe kërkesat e tjera paraprake. Gjykata vendosi të pranojë kërkesën për dëshminë e Yassin Kadi, si dhe mënyrën e realizimit të saj nëpërmjet videokonferencës nga Arabia Saudite, ku sheiku jeton aktualisht. Të gjitha procedurat e realizimit të videokonferencës do të ndiqen nga ana e gjykatës, e cila do të dërgojë letër-porositë përkatëse pranë autoriteteve të drejtësisë saudite. Sipas avokatëve mbrojtës të Hamzeh Abu Rayyan, dëshmia e Kadi do të jetë kyçe në proces, pasi ai është personi i cili ka miratuar nivelin e pagesave për punëtorët dhe vetë administratorin e pronave të tij në Shqipëri. Kësisoj ai do të vërtetojë pretendimin e mbrojtjes se fondet për të cilat akuzohet Abu Rayyan janë shpenzuar për pagesat korrente dhe nuk janë fshehur, sikurse pretendon prokuroria.
Gjykata ka miratuar dje edhe të gjitha kërkesat e tjera të mbrojtjes së Abu Rayyan, me përjashtim të kërkesës për dëshminë e dy ministrave të financave. Trupi gjykues ka deklaruar se do të shprehet në një kohë tjetër, kur të jetë momenti, nëse do të thërresë për të dëshmuar Arben Malajn, ish-ministër i Financave në kohën e qeverisjes socialiste dhe Ritvan Boden, ministrin aktual të këtij dikasteri. Të dy këta persona kanë pasur lidhje direkte me çështjen, pasi kanë firmosur një sërë urdhrash nëpërmjet të cilëve është bërë ngrirja e fondeve dhe pasurive të Yassin Kadi në Shqipëri. Shtyrja e vendimit për këta dëshmitarë ka shkaktuar reagimin e avokatit Sajmir Visha, i cili është shprehur se kjo është një sjellje e çuditshme e gjykatës: "Përderisa gjykata dha miratimin për të gjithë dëshmitarët e tjerë, ku përfshiheshin edhe dy drejtorë të përgjithshëm të Tatimeve, nuk e kuptojmë se përse duhet të shtyjë vendimin për Malajn dhe Boden. Nuk e kuptojmë se çfarë do të ndryshojë gjatë procesit që do të kondicionojë vendimin e gjykatës lidhur me këta dëshmitarë të kërkuar prej nesh". Gjithsesi, në përfundim të seancës, avokatët mbrojtës, por edhe vetë i pandehuri, u dukën të kënaqur nga vendimet e dhëna prej trupit gjykues.
Jordanezi Hamzeh Abu Rayyan është akuzuar se ka fshehur rreth 10 milionë lekë, të cilat ishin përfituar nga qiratë dhe të ardhurat e tjera nga pronat që Kadi ka në Shqipëri. Deri tani ai ka hedhur poshtë këto akuza, duke deklaruar se shuma për të cilën ai akuzohet është përdorur për pagesat e punonjësve që janë në këto biznese, për pagën e tij personale, si dhe për të mbuluar shpenzimet e udhëtimeve të tij jashtë vendit.