Patos, ndotje 20 herë mbi normat
Rreth 20 herë më e lartë nga norma e lejuar llogaritet ndotja e zonës Patos Marinëz. Shifrat kanë dalë ditën e djeshme nga matjet e kryera në terren me anë të aparaturave, nga përfaqësues të kompanisë holandeze "Roal Eskony", fituese e tenderit për studimin e ndotjes në zonën naftëmbajtëse Patos Marinëz. Studimi po bëhet me financim të Komunitetit Evropian, me një vlerë prej 470 mijë eurosh. Kompania "Roal Eskony" ka katër muaj që kryen në terren studimin e saj, duke kryer matje në një hapësirë të madhe gjeografike. Nga matjet e djeshme rezultoi se ndotja në ajër është më shumë se 20 herë mbi normat, sa i përket nivelit të pranisë së squfurit, ndërsa ndotja nga komponentë të tjerë shkon deri në katër herë më shumë se sa normalja. Këtë e pohoi specialisti i kësaj kompanie, Rud Platenburg. "Është me të vërtetë alarmante niveli i lartë i ndotjes në ajrin e zonës së Patos Marinzës. Nga disa matje që kemi kryer në disa vende që njihen në Shqipëri si zonë naftëmbajtëse dhe naftënxjerrëse, këtu shënohet edhe kulmi, ku niveli kapërcen 20 herë më shumë se normalja", ka thënë specialisti Platenburg.
Përballë kësaj situate alarmante, kreu i Komunës Zharrës, Taulant Grëmi, është shprehur se do të kërkojë ndërhyrje të menjëhershme në mjedisin e kësaj zone, si dhe ndërhyrjen urgjente për marrjen e masave nga ana e kompanive të naftës që operojnë në këtë zonë, për uljen e nivelit të ndotjes së atmosferës dhe sipërfaqes së tokës nga mbetjet hidrokarbure. Ai tha se së bashku me përfaqësuesit e njësive vendore të zonës naftëmbajtëse do të operojnë për të krijuar mundësinë e ruajtjes së mjedisit. Është e para herë që dalin të tilla rezultate të shkallës së ndotjes në këtë zonë. Para dy vitesh u vendos një aparaturë për matjen e nivelit të ndotjes së ajrit në fshatin Zharrës, nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, por rezultatet e këtyre matjeve asnjëherë nuk u bënë publike.
Ligjet shqiptare parashikojnë sanksione për subjektet që ndotin ambientin dhe kushtëzojnë këto subjekte të kryejnë rregullisht matje për nivelin e ndotjes dhe të marrin masa për minimizimin e saj. Por, industria e naftës në Shqipëri është tërësisht shtetërore dhe për shkak të problemeve financiare, kompanitë e naftës nuk kanë ndërmarrë asnjëherë veprime në drejtim të uljes së ndotjes.