E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëzohen kërkesat, avokatët kërkojnë largimin e gjykatësve

Odiseja e ndërrimit të gjyqtarëve nuk paska të sosur në procesin ndaj një grupi personash të akuzuar si anëtarë të bandës së Lushnjës. Gjyqi ndaj Arben Boriçit, Ilir Stërgut, Afrim Hoxhës, Erion Cicit, Arjan Aliços, Jorgo (Agur) Muzakës (Musaku) dhe Rexhep Ginës është shtyrë sërish dje, pasi avokatët mbrojtës kanë kërkuar përjashtimin e trupit gjykues. Një seancë më parë mbrojtja e këtyre personave që akuzohen për veprat penale të krijimit dhe pjesëmarrjes në organizatë kriminale, "Vrasjes me paramendim", "Mbajtjes pa leje të armëve luftarake" etj., ka paraqitur një sërë kërkesash përpara trupit gjykues. Por dje gjyqtarët i kanë rrëzuar këto kërkesa. Kjo ka shkaktuar kundërshtimin e ashpër të avokatëve, të cilët kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtarëve nga kjo çështje. Kërkesa është paraqitur po dje në sekretarinë e gjykatës dhe i është nënshtruar shortit elektronik. Nga ky short ka dalë se kërkesa do të gjykohet nga gjyqtari Klodian Kurushi. Por informacione të sigurta thanë për "Shqip" se ky gjyqtar ka gjykuar masat e sigurisë për këta të pandehur dhe në këtë mënyrë nuk mund të gjykojë një tjetër çështje që ka lidhje me ta. Mbetet në dorë të drejtuesve të gjykatës të zgjidhin këtë problem procedural, i cili nuk është i pari i këtij lloji me këtë proces. Pak kohë më parë çështja ngeli pa gjykatës dhe u desh që KLD të caktonte gjyqtarë të tjerë nga Gjykata e Faktit në Tiranë për të vazhduar procesin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›