E Diel, 1 Nëntor 2026

Pikat që rendisin Durrësin ndër qytetet më të ndotura të Ballkanit

I cilësuar shpesh si një ndër pesë zonat e nxehta mjedisore në Ballkan, për shkak të veprimtarisë së dikurshme të ndërmarrjes kimike në Porto Romano, Qarku i Durrësit "fsheh" dhe të tjera pika ndotëse, të cilat kërkojnë ndërhyrje. Specialistët vetëm pak kohë më parë kanë renditur 15 pika të nxehta që ndotin mjedisin, duke u shndërruar në problem për shëndetin e banorëve që jetojnë pranë tyre. Ndërkohë, Agjencia Rajonale e Mjedisit (ARM) në Durrës është kthyer në një organ jofunksional. Kryebashkiaku i Durrësit thotë se aktiviteti i kësaj agjencie për problemet mjedisore është i pandjeshëm në qytet, por edhe më gjerë, ndërsa për prefektin e Qarkut të Durrësit problemi qëndron gjetkë. "Ajo është një zyrë me një person dhe që këtu fillon problemi serioz i saj. E kam thirrur drejtuesin e ARM-së dhe i kam lënë detyra. Janë pa personel të mjaftueshëm dhe pa autoritet ligjor për të vjelë gjoba". Kjo, sipas prefektit Klodian Pajuni, e bën këtë zyrë të vegjetojë. Ndërkohë, në Durrës numri i subjekteve që ndotin mjedisin është rritur. Një nga specialistët e mjedisit, inxhinieri kimist Vlash Grami, ka identifikuar 15 pikat e nxehta mjedisore. Fabrikat, guroret, fonderitë, kanalet e hapura të ujërave të zeza, gropat septike në zonën e Plazhit, përtej sektorit të Plepave, anijet e peshkimit, thertoret, shesh-depozitimi i plehrave, depozitat e karburanteve në port, stabilimentet e rritjes së pulave dhe prodhimit të vezëve etj. Në krye të listës është vendosur fabrika e lëkurëve në Sukth, mbeturinat e së cilës dhe derdhjet hidhen të papërpunuara në kanalin që kalon aty pranë. Një tjetër vatër ndotjeje është vlerësuar edhe fabrika e tullave në Maminas, e cila, sipas Gramit, nuk ka instaluar filtrat dhe në këtë mënyrë gazrat që çlirohen nga aktiviteti prodhues kthehen në ndotës mjedisorë dhe janë mjaft të dëmshëm për shëndetin. Fonderia e Shkozetit, që shkrin bateritë e automjeteve dhe metalet me ngjyrë, është kthyer shpesh në objekt proteste për banorët e zonës përreth. Tymi që çlirohet sa herë që fonderia është në aktivitet, konsiderohet mjaft i rrezikshëm për shëndetin. Ndër zonat e nxehta të qarkut vlerësohen edhe guroret në Krujë. "Ka mjaft vende të tilla në malin e Krujës, që përveçse kanë shkaktuar një masakër ekologjike në mal, duke shkulur pa kriter gurët, kanë bërë që të zhduket bimësia dhe pylli. Për djegien e gurëve dhe prodhimin e gëlqeres përdoren goma makinash dhe tymi që çlirohet nga djegia e tyre krijon gaz toksik mjaft të dëmshëm", thotë Grami. Me gjithë aksionin e ndërmarrë vitin e kaluar nga Ministria e Mjedisit, aktiviteti i tyre vazhdon rregullisht. Hidrovori i Porto Romanos, pavarësisht rolit të rëndësishëm që ka, është dhe një ndotës i madh për shkak të amortizimit e mungesës së investimeve. Në hidrovor shkojnë të gjitha ujërat e qytetit dhe kështu ato derdhen në det, duke ndotur ujërat e Adriatikut. Në mungesë të një impianti filtrues, bashkë me ujërat e zeza të Durrësit dhe rrethinave të tij në det zbrazen çdo ditë sasi të mëdha kimikatesh me pasoja të rënda për florën dhe faunën detare e tokësore.

Porto Romano mban ende vendin e parë

Ish-ndërmarrja kimike në Porto Romano mbetet sërish zona më e kontaminuar, me gjithë fondet e derdhura në të. "Kontaminimi është një proces që nuk përfundon, pasi duke u lidhur me ujërat nëntokësore ndotja shkon deri në det", kanë vlerësuar specialistë vendas dhe të huaj për këtë zonë në veri të qytetit-port. Sheshi ku depozitohen mbeturinat urbane të Durrësit pak kilometra larg ndërmarrjes kimike mbetet një vatër e nxehtë ndotjeje në pritje të trajtimit. Inxhinieri Vlash Grami thotë se dhe zona informale e ish-Kënetës është pikë e nxehtë. Këtu, pjesa më e madhe e banorëve e kanë marrë ujin e pishën nga tubacioni që gjendet në kanalin e madh të hapur ku derdhen ujërat e zeza. "Ka qindra tuba që lidhen në këtë vend, duke përbërë një burim ndotjeje për të gjithë zonën". Nuk mbeten pas as lumenjtë. Erzeni është një nga lumenjtë më të ndotur, së bashku me lumin Seman, Gjanicë dhe lumin e Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›