E Diel, 1 Nëntor 2026

Prefekti: Ndërtimi i TEC-it, në të mirë të qytetarëve vlonjatë

Ndërtimi i TEC-it dhe i "Petroliferës" në Qarkun e Vlorës është parë si një gjë pozitive nga ana e prefektit Xhevair Rexhepi, i cili në një intervistë për "Shqip" tregon për përfitimet e kësaj vepre energjetike. Madje Rexhepi ka bërë të ditur dhe të gjitha investimet që po bëhen në këtë qark.

Jeni në krye të këtij institucioni që prej tre muajsh, si e keni gjetur këtë institucion ku mungonte prej tetë muajsh prefekti dhe detyrën e kryente sekretarja?

Fakti që institucioni ka qenë që prej 8 muajsh pa prefekt dhe detyrën e kryente sekretarja e përgjithshme e komanduar, është krijuar një boshllëk jo për fajin e sekretares. Ishte krijuar një vakum në disa vendime, në disa rregulla, në disa procese të funksionimit të institucionit, kështu që mua më duheshe të merresha me rregullimin e kësaj situate. Ndodhi diçka, që me rritjen e kompetencave të nënprefekturës Sarandë dhe Delvinë këtu shkurtoheshin shtatë punonjës dhe përballja e parë ishte që të hiqja shtatë punonjës dhe problemi tjetër ishte që në emërimin tim do të përballesha dhe me organizimin e festës së 95-vjetorit të Pavarësisë, që do të ishte një angazhim i madh. Unë kisha udhëheqjen kryesore të këtij aktiviteti dhe në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë. Ky bashkëpunim me bashkinë ka qenë i mirë dhe doli një festë shumë e bukur, ku kishte një protokoll shumë ndryshe nga herët e tjera.

Pastaj për heqjen nga puna të shtatë punonjësve ishte një urdhër. Unë nuk i njihja punonjësit këtu dhe iu lashë një afat deri në fund të vitit për të parë se si ishin të angazhuar njerëzit në punë, çfarë aftësie profesionale kishin, nuk u mora me kritere politike dhe 70% e punonjësve kishin mbi 10 vjet në punë. Të them të drejtën, ky institucion është politik, po ashtu dhe duke parë kriteret e njërit apo tjetrit, u detyrova të largoja 7 punonjës.

Si prefekturë, si kanë qenë marrëdhëniet me Bashkinë e Vlorës, si dhe bashkitë e tjera dhe komunat e Vlorës?

Mund t‘u them që është krijuar një klimë shumë e mirë me bashkitë dhe komunat: e para se kemi një detyrim ligjor, sepse ata do të sjellin të gjitha aktet normative këtu dhe problematikat që kanë njëkohësisht bëjmë dhe auditin. Do të thosha që jo në Vlorë, por në përgjithësi, ka ndodh përplasja ndërmjet institucioneve që vijnë nga interesat e titullarëve. Nëse unë nuk dua kryetarin e bashkisë duhet të përdor institucionin. Kjo mua nuk më duket e drejtë. Pra do të thosha që marrëdhëniet janë shumë të mira. Ka një frymë bashkëpunimi, ku duket qartë nga opinionet, ku dhe në analizën e fundit ku kryetari i bashkisë, Shpëtim Gjika, u shpreh me nota pozitive. Me komunat kemi marrëdhënie korrekte me korrespodencën që ata sjellin të problematikës që kanë, por kemi vënë dhe para përgjegjësisë për shkelje dhe në ndjekje penale për abuzime që nga auditi është vërtetur për shkelje të rëndë për dy persona në Komunën Novoselë, që kanë abuzuar me fonde nga ujësjellësi dhe këtë shkelje po e ndjek prokuroria.

Cili është komenti juaj për ndarjen e Sarandës dhe Delvinës në prefekturë?

Ndarja është e tillë dhe Saranda dhe Delvina janë nënprefektura të Qarkut të Vlorës, por të dyjave u janë rritur kompetencat ku kanë auditin e tyre, pra funksionojnë si prefekturë. Komenti im është ky, që qeveria t‘i jepte të drejtë prefektit, ku t‘i delegonte kompetenca më shumë nënprefekturës, ku ankesat që vijnë nga qytetarët e Sarandës të mos të vijnë në Vlorë, por të shqyrtohen në Sarandë, sepse i shërbejnë më mirë dhe më afër qytetarit, si dhe auditimi dhe probleme të tjera.

Prej 20 ditësh katër gra kanë qenë në grevë urie për banesat e tyre dhe dje ato, falë këmbënguljes tuaj, dolën nga greva dhe u premtua se do të merrnin atë që u takonte...

I ndoqa nga afër dhe u shkova disa herë dhe ato as vetë nuk kanë qenë të qarta pse ishin futur në këtë grevë. Ato nuk kishin probleme as me çmimin, as me metrat, vetëm dy prej tyre s‘ishin të qarta, pasi u thashë që në fillim që ju zonja shkoni në gjykatë të vërtetoni që keni pronë, shkoni në hipotekë regjistrohuni dhe të merrni dokumentet dhe jo të rrini këtu. Pra ato dolën nga greva dhe shkuan në gjykatë për t‘u regjistruar dhe për të marrë atë që u takon, pasi lekët janë gati.

Si prefekt i Qarkut të Vlorës, cili është mendimi juaj për ndërtimin e TEC-it dhe "Petroliferës", pasi dihet këmbëngulja e banorëve për mosngritjen e tij?

Për sa i përket TEC-it, ai i duhet Vlorës dhe turizmit të tij dhe nuk ka asnjë efekt negativ. Sasia e ndotjes që ai nxjerr është brenda parametrave dhe ai është investim i Bankës Botërore dhe ata janë aq të ndjeshëm ndaj efekteve negative, sa që nuk e nisin veprën fare. Pra, Banka Botërore pa bërë një verifikim të dëmeve që mund të sjellin këto vepra nuk e nis fare bërjen e tyre dhe nuk financon, sepse i bën dëm vetes. Ai investim është shumë i mirë, shumë modern e nuk ka asnjë efekt negativ, veçse pozitiv.

Kthehemi te "Petrolifera", që është financim i një banke, një përfitim në masën 50 me 50 për qeverinë shqiptare dhe për firmën (Bankën) që financon. Është një investim që qeveria shqiptare nuk paguan asnjë lek. Unë do të bëjë një krahasim të tillë: nëse në Vlorë shkarkohen në mes të qytetit naftë edhe gaz nga cisternat, jo në parametrat e duhur për ruajtjen e qytetarëve. Këto shkarkime bëhen në Portin e Vlorës, që është në mes të qytetit, ndërsa ndërtimi i një vepre të tillë, siç është "Petrolifera", do të jetë në kushte të shkëlqyera dhe efektet e ndotjes do të jenë shumë të vogla, apo të papërfillshme. Pra depozitat që do të vijnë aty do të jenë moderne, me kapakë të lëvizshëm. Është e vërtetë që ka pas në botë dhe aksidente me cisternat e naftës. Por po të ecim me këtë opinion, ne nuk duhet të ndërtojmë fare, pasi po të mendojmë se do të bjerë një vullkan në Vlorë, ose diçka e tillë, pra kështu i bie se një ditë do të ketë shembje nga ndonjë fatkeqësi natyrore dhe nuk duhet të ndërtojmë asgjë. Nga kontaktet që kam, di se ndotja do të jetë e papërfillshme dhe e vogël, ku ato fuçi me naftë që do të vijnë do të shiten dhe do t‘i shërbejnë Vlorës, si dhe shumë të mira të tjera, pasi cisternat që do të shkarkohen do të jenë gjigande, 100 mijë tonësh. Personeli do të rrijë me ditë të tëra në Vlorë, do të shpenzojë dhe do të ketë më shumë zhvillim. Nuk dua të aludoj për shoqata që aderojnë në Vlorë, por ndotje ne kemi dhe që nga gjeneratorët që ka disa kohë që s‘po punojnë, po ashtu dhe nga kurora e Vlorës, që është e shkatërruar.

Cilat janë disa nga detyrat kryesore dhe objektivat për të ardhmen e Prefekturës Vlorë?

Në radhë të parë ne do të ndjekim ato investime që po kryen qeveria dhe po realizohen në afat. Vlora në periudhën që flasim po investohet për rrugën Levan-Vlorë, me TEC dhe "Petroliferën", me ujësjellësin, i cili shkon në 56 milionë euro dhe rikonstruksionin e portit dhe shumë të tjera investime më të vogla. Po ashtu, rruga që të çon në Himarë ka një ecuri të admirueshme dhe një cilësi shumë të mirë. Të gjitha këto investime do të ndiqen nga institucioni i prefekturës, pasi janë investime të qeverisë dhe brenda afateve dhe cilësisë së kërkuar. Pra Prefektura e Vlorës është një prefekturë që do t‘i shërbejë popullit, pasi jemi një qeveri e shërbesave, halleve dhe problemeve të popullit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›