Gazi, Turqia ndryshon kursin
Turqia ka ndryshuar kursin e politikave të saj energjetike, kur zyrtarisht i është bashkangjitur projektit për gazsjellësin "Transa Adriatik", që sjell gazin e Kaspikut në Evropë përmes Shqipërisë. Ministri turk i Energjisë dhe Burimeve Natyrore ka deklaruar se qeveria e Ankarasë do të përfshihet në projektin e kompanisë zvicerane, EGL, që do të transportojë gazin e Iranit në Ballkan, përmes Shqipërisë, për të përfunduar më pas në Itali. Guler është takuar me drejtorin e zyrës zvicerane të Energjisë në Ankara, ku deklaroi se së shpejti Turqia dhe Zvicra do të nënshkruajnë shumë shpejt dhe një marrëveshje për këtë çështje. Në fakt, Turqia deri më tani kishte deklaruar mbështetjen e fortë për gazsjellësin rival, Turqi-Greqi-Itali. Por kjo lëvizje e fundit e Ankarasë pritet të sjellë zhvillime interesante në rrjetin rajonal të gazit. Dy këto projekte janë parë përgjithësisht si rivale të njëra-tjetrës. Madje, zyrtarët e kompanisë EGL, që do të ndërtojnë gazsjellësin shqiptar, kanë akuzuar disa herë se disa qeveri fqinje, duke aluduar për Greqinë, po bëjnë çmos për të sabotuar projektin shqiptar. Gazsjellësi Turqi-Greqi-Itali parashikohet të jetë 800 kilometra i gjatë, prej të cilave 212 kilometra kalojnë nën ujërat e Adriatikut. Është marrë përsipër të ndërtohet nga një konsorcium mes kompanisë greke DEPA dhe asaj italiane, Edison. Ky projekt mbështetet nga Komisioni Evropian për shkak se heq monopolin e kompanisë italiane ENI, që kontrollon pjesën dërrmuese të tregut të gazit në Itali. Por së fundmi projekti po përballet me probleme të shumta që kanë të bëjnë me konkurrencën dhe ato të terrenit. Ekspertët thonë se rruga ku parashikohet të shkojë gazsjellësi italo-grek është shumë e kërcënuar nga tërmetet e herëpashershme nënujore. Zvicra është duke punuar fort për të marrë miratimin e qeverisë së Iranit dhe Azerbajxhanit për furnizimin me gaz të gazsjellësit "Trans Adriatik". "Elektrizitats-Gesellschaft Laufenburg", ose EGL, siç njihet ndryshe, ka paraqitur një projekt me vlerë 800 milionë euro, që do të furnizojë me gazin e Kaspikut tregun evropian. Gjurma e gazsjellësit është parashikuar që të kalojë në Shqipëri dhe përmes Italisë të shpërndahet në vendet e Bashkimit Evropian, të cilat po përballen të gjitha me mungesë të këtij produkti, aq më tepër kur situata energjetike edhe në BE nuk është plotësisht e stabilizuar. Tubacioni i tij do t‘i bashkohet rrjetit ndërkombëtar të gazsjellësve në Greqi, më pas do të kalojë në Shqipëri, për të përfunduar në shtetin fqinj të Italisë me një gjatësi prej 513 kilometrash, prej të cilave 196 shtrihen në vendin tonë. Ndërtimi i këtij gazsjellësi, përveçse do të garantonte një furnizim të bollshëm të vendit tonë me gaz, do të fuqizonte ndjeshëm pozitat gjeopolitike të Shqipërisë për shkak të rëndësisë strategjike dhe politike që ka energjia sot në Evropë. Gjurma kryesore e këtij projekti përfshin Shqipërinë në një korridor që do të sjellë gazin nga vendet kaspike, nga vendet e Lindjes së Mesme dhe burimet e gazit të lëngëzuar në Turqi. Projekti lidhet me rrjetin ndërkombëtar të gazit në Selanik dhe futet në Shqipëri në Qarkun e Korçës në Devoll, vazhdon në jug nëpërmjet Kolonjës, Përmetit dhe zonës së Tepelenës, duke kaluar në rrethin e Vlorës dhe shkon në veri duke përshkuar zonën e Mallakastrës dhe arrin në detin Adriatik në bregdetin afër Fierit.