E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukës, Reshjet e borës izolojnë tri komuna

Reshjet e fundit në rajonin e verilindjes kanë krijuar probleme në qarkullimin e mjeteve, veçanërisht në akset e rrugëve rurale. Kështu, nga raportimet nga prefektura e Kukësit mësohet se Komunat Grykë Çajë, Zapod dhe Arrën janë izoluar nga dëbora, ndërsa njoftime për emergjenca nuk ka pasur. Shefi i zyrës në shtabin e emergjencës, Azem Tema, thotë për gazetën "Shqip" se dëbora ka bllokuar disa prej akseve rrugore të zonave rurale në Kukës, si dhe fshatra të veçantë në Has dhe Tropojë. Ai thotë gjithashtu se edhe aksi kombëtar i rrugës, në segmente të veçantë, paraqet probleme, siç është Qafë Shllaku, Qafa e Malit, Qafë Luzha në Tropojë etj., por në asnjë prej këtyre zonave nuk janë shënuar aksidente dhe qarkullimi ka vijuar. Nga burime të tjera mësohet së gjatë mbrëmjes së të martës, në Qafën e Malit ka pasur bllokime të përkohshme dhe vonesa në lëvizjen e mjeteve, sidomos atyre të tonazhit të rëndë. Specialistët e qarkullimit këshillojnë që mjetet e rënda të mos e ndërmarrin udhëtimin këto ditë me dëborë, ndërsa në tërësi rrugorët lëshojnë një apel që të gjithë është mirë të shmangin udhëtimin në orët e natës. Drejtoria e rrugëve ka dërguar që në mesnatën e së martës katër mjete borëpastruese në drejtim të Qafë Shllakut dhe në drejtimin Kukës-Krumë. Punëtorët në ditën e djeshme kanë hedhur skorie dhe kripë në akset problematike në Kalimash, Shëmri dhe Vrish të rrugës Kukës-Tiranë dhe në drejtimin Kukës-Shishtavec e Kukës-Morin. Trashësia e dëborës, që ka rënë gjatë natës së shkuar në qytetin e Kukësit, arrinte në 40 cm, ndërsa në zonat malore deri në 70 cm. Moti i butë ka bërë që dëbora të shkrijë në një masë të madhe, duke shtuar prurjet në lumin Drin, që për momentin janë rreth 340 metra kub për sekondë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›