E Diel, 1 Nëntor 2026

Radhë për shpërblimet, vdes pensionistja

Përpjekjet për të tërhequr pensionin dhe dhuratën 5 mijë lekëshe, që është akorduar nga qeveria, i kanë shkaktuar vdekjen një gruaje të moshuar në qytetin e Patosit. Zenepe Skënderaj, 77 vjeçe, ka vdekur të martën, pasi është asfiksuar nga qëndrimi për disa orë në radhë, përpara sportelit të vetëm të postës, që shpërndan pensionet në qytetin e Patosit. Ndërkohë, katër të moshuar të tjerë janë shoqëruar drejt spitalit të Fierit për të marrë ndihmë mjekësore gjatë ditës së djeshme.

Sipas pensionistëve të mbledhur në zyrën e vetme postare në qytetin e Patosit, mësohet se një ditë më parë 77-vjeçarja Zenepe Skënderaj ka humbur jetën, pak çaste pasi ra pa ndjenja, teksa priste radhën për të tërhequr pensionin dhe shpërblimin prej 5 mijë lekësh, që është dhënë nga qeveria për pensionistët. Të moshuarit tregojnë se ajo ishte e sëmurë, por jo në gjendje të rëndë dhe kishte katër ditë që mbante radhën për të marrë paratë, pasi donte të gëzonte nipërit për festat e fundvitit. Por e moshuara nuk ka duruar qëndrimin në radhë dhe shëndeti i saj është përkeqësuar, si shkak i shtypjes në radhë.

"Vdiq menjëherë, sapo e nxorëm nga radha. Ra sikur të ishte send. Nuk janë këto radhë për moshën tonë", thotë Elaz Selaj, një prej të moshuarve, i cili ishte i pranishëm në momentin kur vdiq gruaja 77 vjeçe. Zenepe Skënderaj, nga lagjja "29 Marsi" e Patosit, ka gjetur vdekjen paraditen e së martës, ndërkohë që varrimi i saj është bërë gjatë paradites së djeshme. Të afërmit, edhe pse të befasuar dhe mjaft të trishtuar për atë që u ndodhi, kanë fajësuar për këtë vdekje shtetin, që nuk gjen mënyra për të mos sorollatur pensionistët. Djali i të ndjerës ka thënë për "Shqip": "Nëna ime ishte e sëmurë, por jo sa të vdiste. Përkeqësimi i shëndetit të saj ka ardhur vetëm si shkak i radhës. Nuk mundi ta përballonte dot. Unë e çova vetë në mëngjes dhe isha jashtë kur ajo ra pa ndjenja. Kur e nxorën prej andej ishte thuajse e vdekur". Edhe gjatë ditës së djeshme, katër të moshuar të tjerë janë dërguar drejt spitalit të Fierit në gjendje shoku, si shkak i shtypjes në radhë.

Pavarësisht rasteve të shumta të keqësimit të shëndetit te shumë të moshuar, edhe gjatë ditës së djeshme radha ishte e madhe dhe vetë pensionistët janë shprehur për "Shqip" se kanë ditë që qëndrojnë në pritje dhe se këto radha u rrezikojnë seriozisht jetën. "Kam 12 ditë që qëndroj këtu, në pritje të marrjes së pensionit. Vij në mëngjes dhe iki pasdite", thotë Ervehe Shehaj, një e moshuar. "Katër ditë po bëj në pritje të shpërblimit e pensionit. Nuk shtyhem, por më shtyjnë. Nuk kam çfarë të bëj, se me atë të shkretë pension mbaj frymën gjallë", thotë Teferri Lugaj, një tjetër e moshuar. Edhe të moshuar të tjerë kanë pohuar për "Shqip" qëndrimin e gjatë në radhë, duke u ankuar për shërbimin e postës, që punon vetëm me një sportel, edhe pse dyndja është e madhe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›