Fier, kaos në trafik, bllokohen në rrugë emigrantët
Bllokohet totalisht trafiku me Jugun e vendit. Gjatësia e radhës së automjeteve ka kaluar 10 kilometrat në aksin rrugor Ballsh-Fier. Asnjë automjet nuk ka lëvizur për orë të tëra në këtë aks. Shumica e automjeteve ka qenë me targa greke e drejtohej nga emigrantë të cilët vinin nga Greqia. Të pyetur nga gazeta "Shqip", ata kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për këtë situatë që përsëritet sa herë kthehen në vendlindje. "Është për të ardhur keq. Me këto që heqim kur vijmë në Shqipëri, detyrohemi të mos kthehemi më", thotë Gëzim Sopaj, një emigrant. Një tjetër emigrant thotë: "Gjithë natën kemi qëndruar në Kakavijë dhe tani na duhet që ditën ta kalojmë në rrugë, për të pritur zhbllokimin e trafikut". Policia e qarkullimit rrugor nuk ka mundur të çajë trafikun dhe për të bërë një kalim me automjetin e policisë së qarkullimit, vetë kreu i qarkullimit në Fier ka pritur për 2 orë. Një motoçikletë e qarkullimit, që ka lëvizur mes automjeteve në këtë aks, nuk ka mundur t‘i japë zgjidhje trafikut. Prej policisë së qarkullimit rrugor të Fierit, konfirmohet se në mesditë, kur lëvizja e automjeteve në të dyja drejtimet ishte totalisht e bllokuar, masa e vetme që është marrë ka qenë ajo e bllokimit të hyrje-daljeve të qytetit, me qëllim lirimin e trafikut brenda qytetit.